Eni Jani tregon për takimin e parë dhe të sikletshëm me vjehrrit

Dje në studion e Rudinës në Tv Klan u diskutua për marrëdhënien vjehrrë-nuse. Të ftuara ishin Luljeta Bozo me Alda Bidën, si dhe Eni Jani me vjehrrën e saj, Flora Fugën. Ndërkohë që Luljeta Bozo tregoi se takimi i parë me Aldën ishte i planifikuar nga ajo dhe Petri, për Eni Janin nuk ka qenë aspak kështu. Ajo ka treguar se takimi i parë me vjehrrit ka ndodhur rastësisht dhe ka qenë i sikletshëm.

“Takimi i parë ka ndodhur në mënyrë të papritur për të dyja palët. Unë takohesha me vëllain edhe me nusen e vëllait të Gencit dhe një herë isha në shtëpinë e tyre, por pa e ditur nëna me gjyshin [vjehrrit] që unë isha. Rastisi, pa ditur asnjë nga palët, që nëna me gjyshin erdhën në shtëpi. Ne ishim duke dalë dhe në derën e jashtme takohemi të dyja palët dhe ishte surprizë. Këta mbetën, unë mbeta. U përpoqa me timen ta kaloja situatën: ‘Si jeni? Si kaluat? Jam Eni.’ Fillova bëra një lloj prezantimi. Por për fat ishim për të dalë, kështu që shpejt e shpejt gjetëm mënyrën për të dalë nga shtëpia. Ndodhi në këtë mënyrë që ndodhi”, -është shprehur Eni.

Ndërsa zonja Flora Fuga e ka komentuar me humor takimin e parë me Enin.

“Thashë që i zoti i shtëpisë e merr vesh i fundit. Në televizor e kisha parë Enin, kështu ballë për ballë jo. ‘Kjo qenka’, thashë me vete”, -ka rrëfyer ajo.

Më pas, siç ka treguar Eni, gjërat erdhën natyrshëm, pavarësisht prezantimit të sikletshëm.


Shtuar 23.02.2020 10:39