Dizajneri kritikon publikisht Kylie Jenner: Po nuk e paguan, nuk falenderon

Dizajneri Michael Costello kritikoi Kylie Jenner duke pretenduar se kjo e fundit rezufon të përmendë dizajnerë në rast se nuk e paguajnë ose nuk janë të famshëm. Në një foto të postuar në Instagram, Kylie shfaqet e veshur me një fustan Balmain dhe falenderon dizajnerin dhe drejtorin artistik Oliver Rousteing për “fustanin e përsosur të ditëlindjes”.

“Faleminderit Oliver për veshjen e përsosur të ditëlindjes. Dhe faleminderit për të gjithë dizajnerët pa emër që punojnë pa u lodhur dhe pa pushim për veshje të caktuara, të cilat ajo nuk do t’i etiketojë, përmendë…në rast se nuk paguhet.” – shkroi Costello.

Dizajneri theksoi se komenti i tij nuk ka lidhje me bashkëpunimin me Kylie-n, sepse ajo vesh diçka të punuar nga ai një herë në vit, gjë për të cilën “është me fat nëse merr një foto të denjë për ta postuar”.

“Por është e trishtë që disa njerëz punojnë kaq fort për mundësitë që të veshin këto gra të mrekullueshme e të njohura, ndërkohë që ato etiketojnë vetëm dizajnerët e niveleve të larta, por harrojnë të tjerët. Pse të mos përmendësh të paktën një? Jo gjatë gjithë kohës, por të paktën një në kaq kohë.” – vazhdoi ai.

Në korrik, Kylie u kritikua mbi një çështje të ngjashme, pasi përdorues të Twitter-it e akuzuan se refuzoi të përmendë markën Loudbrand Studios, gjë të cilën Kylie e mohoi.

Për Page Six, referuar komentit të tij, Costello u shpreh:

“Jam i lodhur nga njerëzit e famshëm, të privilegjuar dhe me ndikim te miliona ndjekës, të cilët përmendin, etiketojnë ose kreditojnë vetëm dizajnerët që i paguajnë. Nuk është e drejtë që gjithashtu kërkojnë mijëra stilistë të tjerë, që janë njësoj, për të mos thënë më të talentuar, të cilët lënë gjithçka dhe merren me kërkesat e tyre.”

Ai shtoi:

“Unë kam një marrëdhënie fantastike me disa stilistë dhe njerëz të famshëm që jo vetëm që e vlerësojnë kohën time, por i japin kredite punës dhe e paguajnë stafin. Fatkeqësisht ka edhe shumë njerëz të famshëm që përfitojnë nga privilegji duke u përpjekur që ekipi im të heqë dorë nga të gjitha projektet, të punojë falas dhe në fund të mos përmendet për punën.”

Nuk është hera e parë që Costello reagon në lidhje me çështje të cilat sipas tij janë të padrejta. Në janar të vitit 2019 për shembull, i doli në mbrojtje Bebe Rexhës, pasi këngëtarja u shpreh se shumë dizajnerë refuzuan ta veshin për Grammy sepse, sipas tyre, “është shumë e shëndoshë”. Në një intervistë për TMZ, Michael u shpreh asokohe:

“Nuk i vë faj që ndihet keq. E kam pasur shoqe Bebe-n për shumë kohë dhe më vjen keq që nuk më telefonoi të parin pasi do të kisha thënë ‘po’ menjëherë. Megjithatë dua sërish të bashkëpunoj me të. Në dreq vafshin të gjithë dizajnerët që duan të punojnë vetëm me vajzat e masës 32.”

Costello ka bashkëpunuar me disa emra të njohur si Beyoncé, Jennifer Lopez, Ciara, Nicki Minaj, Kim Kardashian etj.


Shtuar 14.08.2020 07:50