Shkaktoi aksident me vdekje dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet shoferi 26-vjeçar

Ditën e djeshme një aksident i rëndë u regjistrua në aksin Torovicë-Lezhë. Një mjet tip “Benz” përpalsi këmbësorin 71-vjeçar Ndue Sokol, i cili ndërroi jetë në spital.

Shoferi i mjetit, pasi shkaktoi aksidentin u largua menjëherë nga vendngjarja, por tashmë policia e ka lokalizuar dhe e ka vënë në pranga.

Njoftimi i policisë:

Aksidentoi me pasojë vdekjen 1 shtetas dhe u largua nga vendi i ngjarjes, identifikohet dhe vihet në pranga drejtuesi i mjetit.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë ndalimin e shtetasit M. D., 26 vjeç, banues në Torovicë, Lezhë.

Ky shtetas ditën e djeshme, në rrugën rurale Torovicë, Lezhë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar një shtetas 71 vjeç, këmbësor, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Pas aksidentit, 26-vjeçari ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”./albeu.com


Shtuar 7.12.2021 10:02