Qeveria e re, Zaev tregon nga Kuvendi sfidën e pare

Seanca e formimit të qeverisë së re në parlamentin maqedonas ka nisur një orë me vonesë.

Në fillim të saj, i mandatuari për krijimin e ekzekutivit, Zoran Zaev sqaroi se një prej detyrave të para do të jetë përballja me krizën e shkaktuar nga koronavirusi. “Si kryeministër bashkë me kabinetin tim, do të dëshmojmë se mundemi të bëjmë më shumë dhe më mirë. Shteti ynë dhe e gjithë bota tashmë prej një kohe të gjatë përballen me situatën e vështirë që ka krijuar Covid 19.

Ndaj me formimin e kësaj qeverie, gjëja e parë që do të bëjmë është menaxhimi i kësaj krize”, deklaroi Zaev. Ndërkohë, menjëherë pas fjalës së tij deputeti i VMRO-DPMNE-së në opozitë, Aleksandar Nikollovski u shpreh se sot po diskutohet për atë që ai e quajti “ qeveria e gënjeshtrave”, duke nënvizuar premtimet e LSDM-së dhe BDI-së gjatë fushatës zgjedhore.

“Gjatë fushatës parazgjedhore LSDM-ja premtonte një qeveri pa BDI-në, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim premtonte një kryeministër shqiptarë. Ky është koalicion i manipulimeve zgjedhore. Ndërkohë që kriza me virusin korona u keqpërdor për qëllime politike”, u shpreh Nikollovski.


Shtuar 29.08.2020 13:53