“Mjeti me ngjyrë gri mori vrasësit”, nga stërvitja, te ndihma për të çarë rrethimin e policisë, si i ndihmoi efektivi autorët e masakrës së Fushë-Krujës, zbulohet identiteti

Vrasja e Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata ishte një ndër ngjarjet më të bujshme të verës që lamë pas. Një vrasje e cila tronditi thellë jo vetëm botën e krimit për nga rëndësia e saj, por që në vetvete paralajmëroi edhe fundin e një kapitulli, atë të mbretërimit të Ervis Martinajt.

Ishte mesdita e 17 korrikut 2022 kur në mbikalimin e Fushë-Krujës Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij u ekzekutuan egërsisht. Siç ka mësuar edhe emisioni “Në Shënjestër” kjo ngjarje përbën një skandal më vete për personat që dyshohet se janë implikuar në të.

Pas ekzekutimit të Brilant Martinajt, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës, autorët u larguan të pashqetësuar nga vendngjarja, ndërkohë që skandal përbën akti se ata u fshehën nga një efektiv policie.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në shënjestër”, gjithçka lindi pas dyshimeve që grupi hetues pati se pas autorëve të masakrës së Fushë-Krujës, fshihej dora e stërvitur e një punonjësi policie, të vetmit persona të aftë që mund të instruktojnë mjeshtërisht vrasësit, mbi pozicionin që ata duhet të mbajnë në një skenë krimi, por edhe se si të mos diktohen gjatë lëvizjeve të tyre.

Ky duket të jetë edhe rasti se si autorët mundën të kenë një bashkëpunim perfekt me strukturat e inkriminuara të policisë.

Referuar gjithmonë dosjes hetimore, në rastin e ekzekutimit të Brilant Martinaj dhe miqve të tij, grupi hetues ka dyshime të forta se bashkëpunëtor në këtë ngjarje, të jetë një oficer policie.

Efektivi thuhet se ka ndihmuar agresorët të çajnë vetë rrethimin e policisë.

Emisioni “Në Shënjestër” disponon identitetin e plotë të punonjësit të policisë, por që për arsye redaksionale dhe me qëllim për të mos dëmtuar hetimin e mëtejshëm të ngjarjes, do të përdorë vetëm inicialet e tij.

Por si erdhi zbulimi i këtij polici dhe cili është roli i tij në këtë ngjarje? 

Sipas dosjes hetimore, zbulimi i këtij renegati brenda radhëve të policisë, u bë i mundur nga grupi hetues, pas krehjes së kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja.

Rezultoi se orën pas krimit të trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, një automjet me ngjyrë gri, u afrua pranë vendit ku autorët dogjën makinën me të cilën kryen ekzekutimin e Martinaj dhe dy shokëve të tij.

Prej aty efektivi kreu largimin e tyre nga vendngjarja, më qëllim për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Dosja Hetimore

“Pas ekzekutimit të Brilant Martinaj, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës, më 17 korrik 2022, ngjarje kjo e ndodhur në Mbikalimin e Fushë-Krujës, grupi hetues, ka marrë dhe administruar një numër të madh të kamerave të sigurisë të montuara në aksin Kamëz-Fushë Krujë-Laç. Nga këqyrja e këtyre kamerave si dhe nga informacionet e marra nga burime konfidenciale na rezulton se shtetasi M. D., është personi që ka ndihmuar të fshihen para dhe pas ngjarjes autorët e vrasjes së trefishtë”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas grupit hetues gjithçka duket të ketë qenë e organizuar. Dhe jo më kot, autorët e vrasjes, kanë zgjedhur të largohen nga vendngjarja me një njohje të tyre në radhët e policisë.

Efektivi M.D. mendohet se mund të ketë përdorur valët e policisë për t’i shpëtuar rrethimit të kolegëve të tij.

Kjo shpjegon më së miri edhe faktin se si autorët mundën të largohen nga vendi i krimit, pa u diktuar nga policia.

“Nga verifikimi i bërë rezulton se shtetasi M.D përdor mjetin me targa AA00 … me ngjyrë gri. Nga ana e policisë gjyqësore nuk është bërë i mundur sigurimi i numrit apo numrave celularë të këtij personi, që përshkruhet si person i dyshuar, si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të vrasjes së 3 personave”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Ky punonjës policie siç del nga dosja hetimore nuk ka shërbyer si suport për vrasësit vetëm pas ngjarjes, por edhe para saj, duke i strehuar ata.

Ai thuhet se i ka mbajtur autorët e vrasjes, në banesën e tij, edhe natën para krimit duke mos e mbyllur punën e tij këtu.

Efektivi M.D. i ka ndihmuar autorët e dyshuar me largimin e tyre edhe të nesërmen pasi kryen atentatin e rëndë.


Shtuar 1.02.2023 20:16