Që nga dalja në publik e propozimit franko-gjerman, në drejtim të Kosovës dhe Serbisë ka pasur presione ndërkombëtare për pranimin e tij, që më vonë u emërua edhe si propozimi evropian. Njohja nga pesëshja e BE-së ishte përdorur për ta joshur Kosovën që të pranojë arritjen e një marrëveshje me Serbinë.
Megjithatë qëndrimet e shteteve anëtare të BE-së që s’e njohin Kosovën, s’kanë ndryshuar as pas arritjes së darkordimit në Ohër për Marrëveshjen Themelore dhe Aneksin e Implementimit.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës kanë thënë se Spanja vazhdon të mbetet në qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në 2008 dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e Dialogut të Lehtësuar nga BE”, ka thënë për Express Elena Aljarilla Cortezón nga MPJ e Spanjës.
Sa i përket arritjes së marrëveshjes në Ohër, Cortezon ka thënë se Spanja mirëpret progresin e bërë për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell dhe emisarit special, Miroslav Lajcak.
Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Express zyrtarja e Ministrisë së Jashtme të Spanjës thekson se implementimi i marrëveshjeve në Ohër, bashkë me marrëveshjet paraprake është thelbësor dhe një mundësi që s’duhet humbur.
“Në këtë drejtim, Spanja mirëpret marrëveshjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe njeh dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, krahas marrëveshjeve të mëparshme, tashmë është thelbësore, pasi kjo është një mundësi që nuk duhet humbu”, ka përfunduar Cortezon.
Njëjtë sikurse Spanja, qëndrimin për pavarsinë e Kosovës s’e ka ndërmend ta ndërrojë as Greqia. Presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, një herë nga Athina e më pas edhe nga vizita zyrtare në Beograd e ka theksuar se Greqia s’e njeh pavarësinë e Kosovës.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ditë më parë ka lënë të kuptohet se Marrëveshja e Ohrit mund të nxis shtetet e BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës”
“…unë mendoj se kjo marrëveshje na vendos në rrugën drejt njohjes nga këto shtete (shtetet mos-njohëse). Sa i përket Serbisë, kjo mund të jetë çështje tjetër që mund të marrë kohë por nëse arrijmë te marrëdhëniet e normalizuara atëherë kjo mund të ketë efekte shumë pozitive në ndërveprimet e përditshme dhe ma merr mendja që me kalimin e kohës do të shkojmë atje. Por për pesë shtetet mos-njohëse, fakti që dy vendet (Kosova dhe Serbia) kanë arritur marrëveshjen, dhe me supozimin se do ta zbatojnë, atëherë kjo mund t’i drejtojë kah njohja.”, ka thënë Blinken.
Përveç Spanjës dhe Greqisë, Kosovën nuk e njeh as Sllovakia, Rumania dhe Qipro./GazetaExpress/