Një biletë për Askund: Trendi i pabesueshëm i fluturimeve dhe kritikat ndaj tij

Të lexoni se dikush do të presë një biletë për të shkuar –askund– mund të duket si shaka pa kripë. Por në fakt, është e vërtetë.

Singapore Airlines (SIA) po konsideron “fluturimet për në askund”. Kompanitë EVA Airlines të Tajvanit gjithashtu ofruan diçka të ngjashme në gusht. “Fluturimi për në askund” nënkupton që udhëtarët nisen nga një destinacion, fluturojnë drejt një vendi të caktuar dhe kthehen me po të njëjtin avion, në destinacionin ku u nisën.

Sipas Times of India, thuhet se Singapore Airlines po planifikon të nisë udhëtime të tilla në fund të tetorit dhe fluturimet do të jenë diku te tre orë. Të njëjtën gjë konfirmon edhe Straits Times, ndërkohë që SIA u shpreh se po shqyrton nisma të tilla dhe theksoi se “asnjë prej tyre nuk është konfirmuar”.

Megjithatë, ky trend po përballet me kritika. Përkrahësit e fushatave ekologjike theksojnë se i mirëkuptojnë kompanitë e transportit ajror, mirëpo duhen menduan metoda më miqësore me ambientin.

Një ndër arsyet – sigurisht përpos fitimeve – të këtyre udhëtimeve është fakti se, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Singaporit, pilotët duhet të kryejnë ngritje dhe ulje të avionëve çdo 90 ditë. Po kështu, motorët e avionëve duhet të përdoren të paktën një herë në disa muaj.

Sipas grupeve ekologjike, në një kohë kur kriza e klimës është një nga çështjet më alarmante të planetit, përdorimi i avionëve thjesht sa rëndon situatën duke gjeneruar pa qenë nevoja dioksid karboni dhe gazin serë. Pilotët mund t’i vendosin motorët në punë përmes imituesve të fluturimit.

Nga ana tjetër, përkrahës të fushatës “fluturime për në askund” thonë: “Të drejtosh avionin nuk është si të ngasësh një makinë. Pilotët duhet të praktikohen me oraret për të përmbushur rregullatoret ndërkombëtare. Apo s’keni frikë të udhëtoni me një pilot që s’ka drejtuar një avion prej muash? Prandaj avionët do të ngrihen gjithsesi. Marrja e udhëtarëve është thjesht një bonus. Nuk është se do të gjenerojë të ardhura të shumta.”


Shtuar 7.10.2020 12:56