TAP dhe linjat e interkonjeksionit: Efektet që mund të kishin sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë

Shqipëria nuk ka sot një vlerësim kombëtar të ekspozimit ndaj kërcënimeve kibernetike në sektorin e energjisë. Një studim i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë që ndalet pikërisht në Sigurinë Kibernetike në sektorin e energjisë në vendet që janë anëtare të tij ka nënvizuar edhe situatën e përgjithshme në vendin tonë.

Studimi ndalet në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian në këtë aspekt, gjendjen reale në sektor si dhe nevojën se ku duhet pasur më shumë vëmendje. Në këtë kontekst raporti nënvizon se Shqipëria është pjesë e disa ndërlidhjeve të rëndësishme në sektorin energjetik përfshirë këtu dhe gazsjellësin TAP

“Përveç ndërlidhjeve me palët kontraktuese Kosovë dhe Malin e Zi, Shqipëria ka ndërlidhje të sistemit energjetik me vende të Bashkimit Europian me një efekt të mundshëm kaskadë në Greqi. Entitetet kryesore ekzistuese të sistemeve më të mëdha të energjisë, janë në proces të rifreskimit të infrastrukturës së komunikimit të bazuar në IP.

Këto entitete të ndërlidhura kanë një ndikim të thellë nga manipulimi në internet, qoftë në vend, rajonal, ose në të gjithë kontinentin. Manipulimi duke përdorur një sistem kontrolli lokal të kompromentuar, mund të dëmtojë sistemin e operimit, për shkak të ndikimeve të mundshme në sistemin fizik.

Linja e transmetimit me Greqinë shërben për një pjesë të madhe të importeve të energjisë elektrike në Shqipëri dhe në rast të dëmtimit të saj dhe ndarjes nga pjesa tjetër e rrjetit, nënstacionet dhe linjat e tjera të energjisë me Kosovën dhe Malin e Zi në veri të vendit do të fikeshin gjithashtu.

Duke marrë parasysh gazin, Shqipëria është një vend ku kalon edhe Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) me stacionet e kompresorëve të vendosur apo instaluar në kohën kur Sekretariati po zhvillonte këtë studim. Aspektet e sigurisë kibernetike të menaxhimit të sistemeve kritike të biznesit të TAPt kanë ndikim të mundshëm dhe risk të lidhur kibernetik për Italinë dhe Evropën në tërësi” vlerëson ky i studim.

Ndër të tjera studimi ka bërë një analizë SWAT mbi pikat e forta, të dobëta, kërcënimet dhe mundësitë ku nënvizon se një bashkëpunim më i mirë mes publikes dhe privatit si dhe rifreskimi në kohë i infrastrukturave të ndjeshme mund të ketë efekte pozitive.

Tek dobësitë Sekretariati nënvizon se vendi ynë e ka të vështirë aksesin në trajnimet e duhura dhe financimin për këtë aspekt ndërkohë që sistemi arsimor ka orientim jo- teknologji./monitor/


Shtuar 13.01.2020 07:46