Prodhuan 100 valvula për respiratorë, dy laborantët e QSUT japin shpresë

Jo vetëm shkencëtarët jashtë, edhe në Shqipëri të gjihë po përpiqen të japin kontributin e tyre në përballjen me pandeminë.

Dy sipërmarrësit e laboratorit për pajisje stomatologjike – Besar Lalike dhe Elidian Çepele i dorëzuan të mërkurën në mëngjes Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë një sasi prej 100 valvulash të prodhuara me printer 3D, të cilat mundësojnë dyfishimin e kapaciteteve të respiratorëve për pacientët në terapi intensive të prekur nga sëmundja COVID-19.

“Ndjehemi shumë mirë, por shpresojmë që të mos përdoren, sepse në qoftëse ato nuk përdoren, ne jemi akoma më mirë dhe më të sigurt,” tha Çepele, përpara se bashkë me kolegun e tij Lalike t’i jepnin doktor Krenar Lilajt – koordinator i shërbimit të reanimacionit për COVID-19 në QSUT, tre kutitë me valvulat e printura në laboratorin e tyre në lagjen Selitë të Tiranës.

Lalike dhe Çepele bëjnë pjesë në një ligë sipërmarrësish dhe vullnetarësh në të gjithë botën, që i janë përgjigjur mungesës së respiratorëve për të trajtuar pacientët e prekur nga koronavirusi dhe kanë nevojë për frymëmarrje të asistuar, duke printuar valvula që mundësojnë përdorimin në rast nevoje të një respiratori për dy pacientë.

“Në kushtet e një ngarkese të rëndë me të sëmurë me COVID-19 dhe në kushtet e mospërballimit nga ana e respiratorëve të një numri të madh të sëmurësh, kudo në Evropë edhe në Amerikë, janë marrë masa për aplikimin e trajtimit respirator të dy të sëmurëve me një respirator,” shpjegoi doktor Krenar Lilaj. “Dhe pikërisht këta aksesorë që djemtë i kanë prodhuar, ndihmojnë në përdorimin e një respiratori për dy pacientë të ndryshëm,” shtoi ai.


Shtuar 8.04.2020 18:19