“Për pak desh u takova me Zotin”, shefi i Shqiponjave zbulon detaje nga “lufta” në Elbasan

Shefi i forcave të policisë “Shqiponja” i përfshirë në aksioni e djeshëm në Elbasan shkruan në rrjetet sociale se për pak shpëtoi pa shkuar tek Zoti.

“Për pak desh u takova me Zotin i plotfuqishëm. Për fat të mirë ende jo”, shkruan Enkel Xhaferri në një postim në rrjetet sociale, që duket se ka marrë vëmendjen e të gjithëve, pasi zakonisht në këto operacione njerëzit që marrin pjesë janë të kujdesshëm që të mos identifikohen.

Ngjarja

Policia sqaroi se: rreth orës 13:20 të ditës së djeshme, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.

Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i RENEA-s dhe i grupeve taktike me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të RENEA-s që po negocionin me të.

Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari.

Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë.

Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, RENEA i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte RENEA ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë.

Në momentin që forcat speciale RENEA po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar asnjë punonjës i RENEA-s.

Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale RENEA i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë.

Grupi Hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndodhet në vendngjarje dhe në banesën e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.


Shtuar 25.09.2020 12:17