PD për 64 milion euro humbje të OSHEE: Janë futur në xhepat e Ramës dhe njerëzve të tij

Të ardhurat e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike pësuan një rritje minimale prej 2% gjatë vitit 2019 ndërsa shpenzimet u rritën me 20%, duke sjellë një rezultat final prej mbi 7.7 miliardë lekë humbje ose afërsisht 64 milionë euro, bëri të ditur kompania në aplikimin e saj për çmimin e energjisë elektrike për vitin 2020 të dorëzuar në Entin Rregullator të Energjisë.

Nga selia e PD-së sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli deklaroi se shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në rajon. Sipas PD-së kjo shumë e madhe eurosh është futur në xhepat e Ramës dhe njerëzve të tij.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka humbur 64 milionë euro vitin që shkoi, duke e zhytur kompaninë publike në një gropë të madhe abuzimesh dhe korrupsioni. Humbja dramatike e kaq shumë parave ndodh, kur shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në rajon. 64 milionë eurot që i mungojnë arkës së Operatorit të Energjisë Elektrike janë para të futura në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, duke blerë energji me çmim më të lartë se tregu, apo duke përdorur paratë publike për të mbushur xhepat e klientëve të vet, në dëm të financave të kompanisë. Vitin e kaluar, kompania që përdoret si bankomat nga Edi Rama dhe Vangjush Dako, ka tenderuar rreth 75 milionë euro.

Shumica e tyre dërrmuese janë pa garë, më 1 kompani klientë të qeverisë së Edi Ramës, që zhvasin vazhdimisht paratë e shqiptarëve, duke fituar me ofertën më të lartë.”, pohoi sekretari i Burimeve Njerëzore në PD. /albeu.com/


Shtuar 17.01.2020 11:14