Nuk po gjejmë karar, sa “pike” të COVID-19 ka kaluar Shqipëria?!

Oliverda Allmuça

Që kur nisi pandemia, “piku” në Shqipëri ka kaluar disa herë (!)

Ekspertët nuk ranë kurrë dakord për një periudhë kohe të caktuar, përkundrazi, filluan të kundërshtojnë njëri-tjetrin në një moment kur njerëzit ishin në një stres të madh për shkak se humbën punët dhe frikësoheshin për jetën.

Duke mbajtur edhe një sy nga mediat ndërkombëtare kuptojmë se COVID-19 është një virus i panjohur akoma në të gjithë dimensionet e tij, që ndryshon shumë shpejt dhe në një kohë të papërcaktuar, gjë që e justifikon deri në një pikë info-obezitetin dhe pikëpyetjet që erdhën për publikun.

Por në një kohë, kur politika shqiptare ktheu kokën nga media duke i ngarkuar tërë fajin për panikun që shkaktoi duhet të përballemi me faktet.

Nuk mund të mohojmë që ka patur qarkullime të lajmeve të rreme, ose siç e quajtën ekspertët e komunikimit: “infodemic”, pra një pandemi e dytë për shkak të informacionit çoroditës që qarkulloi kudo.

Por nëse do të bëjmë një analizë modeste vetëm në Shqipëri, do të vëmë re se mungesa e një mendimi të konsoliduar të ekspertëve apo qoftë edhe studimeve bazike për shifrat, janë në mos arsyeja kryesore, një shtysë e fortë për të shkaktuar panik.

Zyrtarisht ISHP njohu datën 9 mars si datën e hyrjes së COVID-19 në vend, datë ku pacienti zero u njoftua zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe vendi dy ditë më pas u fut në karantinë i gjithi, bizneset mbyllen qepenët, transporti urban fiku motorët dhe njerëzit braktisën punën.

Çfarë ndodhi pas asaj date dhe me sa “pike” u përball publiku?

Si fillim duhet të kuptojmë se “kalimi i pikut” është një koncept, i cili nuk e ka bazën e tij në numrin e rasteve, viktimave dhe numrin e personave “të shëruar”.

Por duhet parë me shumë kujdes dhe do shqyrtuar në trendet ose prirjet që ka shpejtësia e rritjes së kurbës në momentin fillestar pas shfaqjes së rasteve të para.

Sigurisht shoqëruar me krahasime të periudhave të viteve më parë të vdekshmërisë, viruseve të tjerë etj.

Por këtë analizë nuk e pamë të na e ofronte asnjë nga ekspertët e shumtë që morën vëmendjen e njerëzve të stresuar nëpër shtëpi.

Për ta kuptuar shumë thjeshtë këtë, mund të përmbledhim një pjesë të “pikeve” që deklaruan ekspertët, mjekët, MSH, Komiteti i Ekspertëve etj:

Piku 1
Sipas kryetares së Komitetit të Ekspertëve, Silva Bino (E cila se u vendos me një fjalë goje nga kryeministri Edi Rama gjatë një mbledhjeje virtuale, cit: Ja kush është kryetarja e Komitetit të Ekspertëve se na çmendën), piku do të vinte në javën e pestë që nga rasti i parë. Pra në javën e dytë të muajit prill.

Piku 2
Radiologu Renato Osmani publikon disa imazhe grafish të cilat sipas tij tregonin se COVID-19 kishte qarkulluar në vend që në janar dhe se piku tashmë ishte kaluar.

Piku 3
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu deklaron me bindje se COVID-19 e kishte kaluar pikun e tij në muajin shkurt.

Piku 4
Epidemiologu Alban Ylli thotë se piku i COVID-19 do të vijë në maj.

Piku 4
Mjeku i njohur Pëllumb Pipero pohon se pikun e kemi kaluar në javën e fundit të marsit.

Piku 5
Epidemiologu i ISHP Dritan Ulqinaku pranon se piku është kaluar në mars.

Piku 6
Prof. Dr. Genc Sulçebe deklaron se piku ka kaluar para javës së dytë së prillit.

Piku 7
Ministria e Shëndetësisë në 26 prill mohon deklaratën e Silva Binos dhe pohon se piku nuk është arritur akoma.

Piku 8
Epidemiologu Artan Simaku më datë 15 prill thotë se piku ka kaluar.

Piku 9
Shefi i Urgjencës Kombëtare Skëndër Brataj parashikon gushtin për pikun e COVID-19 në vend.

Piku 10
Shefi i Urgjencës Kombëtare Skëndër Brataj parashikon mesin e tetorit për pikun e COVID-19 në vend.

Ndoshta janë shumë, ndoshta janë pak! Ndoshta media nuk duhej t’i jepte gjithë këtë hapësirë ku shifrat konkrete mungonin.

Por në një kohë kur njerëzit e kërkonin informacionin me zemër të ngrirë, duhej që për herë të parë opinionet të liheshin mënjanë sepse nuk munden kurrsesi hamendësimet në një kohë të vështirë covidiane si kjo, të zëvendësojnë punën në terren dhe hulumtimin e situatës reale.

Për këtë arsye lind nevoja që në vendin tonë të fillojnë të krijohen të dhëna konkrete, të qarkullojnë dhe aksesohen në mënyrë që të përdoren nëpër raportime edhe nga gazetarët.

Sepse niveli i cilësisë dhe i përgjegjësisë shoqërore për mbledhjen, menaxhimin, përpunimin, ruajtjen dhe aksesimin e të dhënave, bën diferencën mes vendeve dhe sistemeve të ndryshme shoqërore. (Rrapo Zguri) Sa më i lartë ky nivel, aq më demokratik një vend. /albeu.com/


Shtuar 3.10.2020 12:45