Ndëshkime me burg? Qeveria zbut dënimet për shkelësit e karantinës

Në vendimin e kësaj të marte në komisionin e ligjeve është vendosur që dënimi për përhapjen e sëmundjeve infektive, nga 10 vjet maksimumi i propozuar zbret në 5 vjet.

Por nëse virusi i shpërndarë dëmton rëndë jetën e njeriut apo shkakton vdekjen e tjetrit, dënimet do të vijojnë të jenë 10 dhe 15 vjet burg.

Ndërkohë që pika e tjera të dënimeve janë ulur. Saktësisht, kKush thyen rregullat e karantinës dënohet me gjobë, deri në 3 vjet burgim. Ndërkohë që në variantin e parë parashikohej burg deri në 5 vjet.

Për ata që thyejnë karantinën dhe përhapin sëmundjen infektive do të ketë dënim në 5 vjet burg, ndërkohe që në variantin e propozuar ishte dënim me 10 vjet burg.

SI ISHTE PROPOZIMI I PLOTE

KOMISIONIT PËR CËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE TË DREJTAT E NJERIUT

Në vëmendje të:

Kryetarit,Z. Ulsi Manja

Deputetëve, Anëtarë të Komisionit

Objekti: Propozime për amendamente në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka

I nderuar Z.Manja,

Të nderuar KolegëDeputetë,

Bazuar në nenin 71, pika 1të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë paraqes amendamente për disa shtesa në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka:

Titulli i projektligjit ndryshohet me përmbajtjen si vijon:
“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Pas Nenit 1 të projektligjit, shtohet Neni 2me përmbajtjen si vijon:
Neni 2

Pas nenit 242, shtohen nenet 242/1 dhe 242/2 me këtë përmbajtje:

“Neni 242/1

Mosbindja ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatëgjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit.

Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.

“Neni 242/2

Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive

Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.”.

Neni 2 i projekligjit “Hyrja në fuqi” bëhet neni 3.
DEPUTETE PROPOZUESE Edlira BODE

ARSYETIMI I AMENDAMENTEVE

Qëllimi pse paraqes amendimet në Kodin Penal lidhet me parandalimin e përhapjes së infeksioneve dhe forcimin e luftës kundër epidemive, nisur nga situata e vështirë që po kalon vendi ynë dhe mbarë bota nga virusi COVID19.

Për të arritur këtë qëllim, përvec sanksioneve administrative për të gjithë ata persona qëdo të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Vende anëtare të Bashkimit Europian, ku përmend Italinë, kanë parashikuar sanksione të tilla në Kodin Penal.


Shtuar 14.04.2020 12:01