“Mos i ndikoi vaksina”, dëshmitarja tregon si e gjeti nëna pa jetë foshnjen 3 muajshe

Një foshnjë vajzë rreth 3 muajshe është gjetur e pajetë ditën e djeshme në banesë nga nëna e saj, Sote Ozuni.

Ngjarja e rëndë është ka ndodhur në zonën e Librazhdit, ku, ashtu sikundër u raportua dhe ditën e djeshme nëna është larguar nga banesa për pak kohë në dyqan për të blerë qumësht për foshnjën e saj.

Ajo është shprehur se kur ka shkuar në banesë, ka parë që fëmija nuk po reagonte. Pas kësaj, ajo ka kërkuar ndihmën e fqinjëve, të cilët e kanë dërguar fëmijën në spital por ishte vonë.

Foshnjës pritet t’i bëhet dhe ekspertiza mjekoligjore për të zbuluar edhe shkakun e vdekjes së saj.

Sote Ozuni ka humbur dhe dy fëmijë të tjerë. Pak vite më parë, asaj i ka vdekur aksidentalisht një vajzë e mitur. Ndërsa në muajin qershor të këtij viti, djali i saj rreth 4 vjeç u hodh nga dritarja. Asokohe u tha se ai ishte mbyllur brenda me çelës nga nëna e tij. Djali, pasi ka qëndruar disa orë vetëm, ka kërkuar praninë e nënës.

Pas kësaj, ai ka dalë në dritare duke thërritur nënën, ku edhe ra nga lartësia.

Sote Ozuni është divorcuar nga bashkëshorti i saj dhe përpiqet që të rrisë fëmijën me mënyra të ndryshme.

Sipas dëshmitarëve nëna e ka braktisur fëmijën e saj për rreth gjashtë ose tetë orë, pasi ka dalë në qytetin e Librazhdit.

Ndërsa një grua tjetër që banon afër me nënën e foshnjës, është shprehur se Sote Ozuni kishte dalë nga shtëpia për të blerë qumësht për fëmijën e saj të vogël. Kur është kthyer në shtëpi, është shprehur dëshmitarja, fëmija është gjetur pa shenja jete.

“Unë nuk e di, ajo bëri vaksinat pardje. Vajtëm në shtëpi t’i jepte gji, goca ishte pa jetë. Unë e kam rritur vetë atë gocë. Ishim në supermarket, bleu dy tasa për ushqimin, qumësht gocës. Kaq ishte moj bijë, si të ikte fëmija aq shpejt. E ka zënë sëmundja e tokës ose i ndikuan vaksinat”, është shprehur ajo. M. S.


Shtuar 22.01.2020 09:05