Maqedonia e Veriut merr vendimin ekstrem: Kushdo që del nga vendi, nuk mund të hyjë për tre muaj

Çdo qytetar që dëshiron ta lëshojë shtetin në këtë periudhë, do të duhet të nënshkruajë dokument me të cilin do t’i ndalohet hyrja në tre muajt e ardhshëm.

Kjo është njëra nga masat që e ka sjellë qeveria në seancën e fundit, për mbrojtje nga përhapja e coronavirusit, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Oliver Spasovski tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, varet nga ajo se si do të jetë sjellja e qytetarëve dhe si do të zhvillohet situata më tej.

“Kur thamë se nuk duhet të ketë tubime dhe festa, e thamë se nuk mund dhe nuk duhet të ketë. Tani do të duhet të veprojmë me një regjim tjetër. Ne thamë mos udhëtoni, ndërsa një pjesë e qytetarëve para 4-5 ditëve udhëtuan për të shëtitur vetëm për të mos i humbur biletat. Për këtë arsye do të duhet të kemi masa tjera”, tha Spasovski në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai ju bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat dhe të jenë të ndërgjegjshëm.


Shtuar 18.03.2020 13:44