“Korrupsioni po lë pas investimet në Shqipëri”, Basha reagon pas konstatimit të Dhomës së Tregtisë

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka komentuar konstatimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë se korrupsioni është problemi kryesor që pengon investimet e huaja në Shqipëri.

Këtë konstatim të rëndë Basha e ka konsideruar si një gjë që pritej dhe se është pikërisht ky korrupsion që po i vjedh të ardhmen vendit.

“Dhoma Amerikane e Tregtisë ka konstatuar (pa asnjë surprizë) se korrupsioni është problemi kryesor që e lë pas Shqipërinë në fushën e investimeve të huaja. Është korrupsioni në nivelet më të larta që në mënyrë të pafalshme po i vjedh të ardhmen vendit tonë”, shkruan Basha.

Kreu i opozitës bën përgjegjëse qeverinë për pasojat e rënda të korrupsionit.

“I njëjti institucion i respektuar vlerësoi po sot potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të thithur investime. Por ky potencial për zhvillim po shkatërrohet nga një qeveri që në gjenezën e saj ka kapjen e shtetit dhe korrupsionin”, shton më tej ai.


Shtuar 10.02.2020 12:58