I dënuar dhe dëbuar disa herë, vëllai i mafiozit shqiptar rikthehet në Itali për të parë vajzën e sapolindur

Tregtar droge, i implikuar në “Viterbo mafia dy” si dhe klandestin në Itali. Këto janë akuzat që rëndojnë mbi David Rebeshin, vëllai i vogël i bosit të mafies shqiptare në Viterbo, Ismail Rebeshi.

31-vjeçari u arrestua më 14 gusht 2019 në Belcolle, ku ai kishte vizituar vajzën e tij të porsalindur, pavarësisht se ishte përjashtuar nga Italia disa muaj më herët, pasi kishte mbaruar vuajtjen e një dënimi prej dy vitesh e tetë muajsh për tregtinë e drogës.

Duke mos respektuar dekretin e dëbimit, ai u kthye sërish si një emigrant i paligjshëm me dokumente të reja, të marra në Shqipëri, duke përdorur mbiemrin e gruas së tij.

Dje, gjyqtarja Elisabetta Massini e dënoi të akuzuarin me një vit burgim në shkallën e parë.

Rebeshi, i dëbuar tashmë nga Italia në mars 2013 nga prefekti i Romës dhe më pas përsëri në 2015 dhe në janar 2017 nga prefekti i Viterbo, ishte dërguar përsëri në Shqipëri në pranverën e vitit të kaluar pasi kishte mbaruar vuajtjen e dënimit për tregtinë e drogës. Ai u kap në shkurt 2017 me 38 kilogram marijuanë. Për këtë arsye, vëllai i tij, Ismaili u hakmor në prill të po atij viti, duke i vënë zjarrin makinës të një karabinieri.

David Rebeshi dhe mafia Viterbo dy

David Rebeshi, ndërkohë, u arrestua përsëri së bashku me tre bashkatdhetarë, më 28 nëntor të vitit të kaluar në Toscana.

Këtë herë në kontekstin e hetimit që ka hyrë në historinë e lajmeve gjyqësore si “mafia dy Viterbo”, për zhvatje me metodën mafioze për të paguar shpenzimet ligjore të vëllait të tij, Ismail Rebeshi.

Ky i fundit ka qenë në burg për trafik ndërkombëtar droge që nga nëntori 2018 pas operacionit “Ichnos” dhe për grup kriminal në formë mafioze nga janari 2019 si pjesë e operacionit “Erostrato”, për të cilin u dënua në shkallën e parë me 12 vjet burg 11 qershorin e kaluar gjatë një procesi me gjykim të shkurtuar, shkruajnë mediat lokale.

31 vjeçari është mbyllur në qelitë e burgut nën regjimin 415 bis, bashkë me tre bashkëpunëtorë të dyshuar.

Probleme gjyqësore edhe për shokët e vëllezërve Rebeshi

Si pjesë e hetimit për “mafien Viterbo”, partneret e Davidit dhe Ismailit, Emanuela Hima dhe Laura Jona Zaharia, gjithashtu u futën në telashe gjyqësore. Teksa ai ishte në burg, dy gratë regjistruan me sukses për të shmangur konfiskimin të një ndërmarrje makinash qendër në Viterbo.


Shtuar 29.09.2020 13:45