Hapen shkollat dhe dyqanet, Merkel skeptike për lehtësimin e masave

Presionet e ekonomisë dhe landeve dhanë rezultate: masat drastike të kufizimeve për shkak të virusit Corona do të lehtësohen. Por duhet shikuar nëse ka ndonjë rrezik për kthimin e valës së infektimeve.

Gjërat po shkojnë përpara – të gjitha dyqanet do t’i hapin dyert, shkollat dhe kopshtet poashtu. Sërish do të ketë sport dhe futboll në televizor, ndonëse pa shikues. Vera po vjen ndërsa birraritë do të hapin dyert. Ata që duan së shpejti mund të shkojnë edhe në pushim brenda Gjermanisë – madje edhe në hotele.

Virologët kanë thënë një “po” të kujdesshme. Por ata nuk kanë pasur ndonjë zgjidhje tjetër, ndonëse e kanë të qartë se rreziku i një vale tjetër të infektimeve është i madh. Vendi, ekspertët, mjekët dhe sanitetët, sistemi i shëndetësisë, por edhe politikanët kanë bërë më të mirën e mundshme. Gati asnjë vend tjetër në botë nuk ka menaxhuar më mirë deri tani pandeminë me virusin Corona si Gjermania. Shikuar nga numri i infektimeve të reja, ka ardhur koha që të pezullohen kufizimet drastike.

Kancelarja mbetet skeptike

Ditët e kaluara kancelarja Merkel i ka shikuar me mosbesim përpjekjet e politikanëve të landeve për lehtësimin e masave – prej restoranteve në Bavari e deri tek hapja e hoteleve në Mecklenburg-Vorpommern. Angela Merkel tani e ka hedhur përgjegjësinë tek landet. Nëse rikthehen infeksionet, ato duhet të ndërmarrin masa të shpejta për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme, për ndalimin e kontakteve sociale. Kancelarja ka insistuar që gjërat të jenë kështu.

Merkel është skeptike nëse masat do të rezultojnë me sukses. Shumë komentatorë e kritikojnë se Merkelin se po e trajton popullin e vet sikur të ishin fëmijë. Merkel konsiderohet në botën e jashtme si një udhëheqëse shumë e mirë, por në vend janë të shumtë ata që e kontestojnë ate. Ndaj ajo ka vendosur që të dakordohet me kërkesat e shumta për hapjen e shoqërisë dhe zhvillimeve, por me kusht që të mbahen maskat dhe distanca. Me fjalë të tjera, shteti ka vendosur të kufizojë jetën shoqërore, ndërsa njerëzit janë përgjigjur pozitivisht. Tani ka ardhur koha kur përgjegjësinë duhet të bartë secili për vete. Kështu po ndodhë në shumë vende.

Prova më e madhe para nesh

Ajo që kemi mësuar në javët e kaluara është se gjërat janë të brishta dhe mund të ndryshojnë nga dita në ditë. Maskat janë përjashtuar në fillim nga ekspertët si jo të domosdoshme, si të pakuptimta. Ndërsa tani të gjithë thonë se duhet të mbahen. Njerëzit tani janë duke kuptuar të gjithë fuqinë e pushtetit të landeve. Ato e kanë detyruar kancelaren që hezitonte të pezullojë masat.

Bundesliga në futboll do të fillojë së shpejti, ndonëse me masa të forta higjiene. Sidoqoftë, tani vjen koha e testit të vërtetë për gjermanët, të cilët deri tani kanë kaluar relativisht mirë këtë pandemi. Tani duhet të jemi të përgjegjshëm, të mbajmë distancë, maska dhe të kujdesemi për veten dhe të tjerët. Virusi mbetet mes nesh. DW


Shtuar 7.05.2020 06:37