“Egnatia është greke dhe apokalipsi më elegant se qameti”, Balluku rreshton gafat në Kuvend (VIDEO)

Ditën e sotme, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mbajti fjalën në Kuvend, ku iu përgjigj akuzave të opozitës dhe figurave të tjera kritike, se koncesioni 1.2 miliardë euro për rrugën Milot – Fier është shumë i fryrë.

Ajo e nisi fjalimin me një sulm ndaj opozitës, e cila sipas saj është e paditur dhe “lukuni e rrugës”.

Po ministrja sot teksa u shfaq e emocionuar, ka bërë edhe disa “gafa” që janë komentuar gjatë në rrjet.

E para është “zbulimi” i ministres se rruga Milot – Fier, paska qenë ëndrra e gjithë shqiptarëve, e atyre të Veriut për të shkuar në Jug dhe e atyre të Jugut për të shkuar në Veri.

E dyta lidhet me llogaritë për të treguar shumën që do shpenzohet. Sipas Ballukut: Kjo autostradë do të kushtojë 0.075 euro për kilometër, ose ndryshe 7.5 euro për kilometër, asnjë lekë më shumë” pra e shprehur matematikisht: 0.075 = 7.5.

Por nuk u mjaftua me kaq. Balluku quajti opozitën “zëdhënës të Apokalipsit” por menjëherë u pendua për këtë. “Apokalipsi është fjalë elegante për ju, jeni zëdhënës të Qametit”, korrigjoi veten Ministrja.

Për të gjithë ata që ndoshta nuk e dinë kuptimin, apokalipsi dhe qameti janë e njëjta fjalë, e para në Bibël e dyta në Kuran. Bëhet fjalë për fundin e Botës. Ajo e Biblës sipas Ballukut është elegante, ndërsa kjo e Kuranit është banale dhe i shkoka më shumë opozitës.

Madje për Ballukun: “Gjurmë ekzistuese është Via Egnatia, andej nga kalonte Cezari, mbi të cilën u ndërtua një nga autostradat më të mëdha në Greqi”duke iu referuar asaj që Grekët e quajnë Egnatia Odos.

Në fakt rruga Egnatia është bërë e njohur si rruga më e shkurtër që lidh Azinë me Europën, pas pushtimeve Romake dhe që kalon nga Shqipëria, jo Egnatia Odos.


Shtuar 9.07.2020 12:52