Akuzat e PD-së ndaj arkitektit të Teatrit të ri, çfarë vendosi Prokuroria

Prokuroria e Tiranës ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike se arkitekti danez Bjarke Ingels ka shkelur ligjin duke realizuar projektin për ndërtimin e teatrit të ri, pa patur një marrëveshje me autoritetet dhe duke qenë në dijeni të faktit se godina do të ngrihej në një zonë të mbrojtur.

Prokurori Saimir Hysa në nëntor të 2019 vendosi mosfillimin e procedimit penal, me argumentin se nuk ka element të veprës penale, ndërkohë çështja përfundoi në gjykatë, përderisa Partia Demokratike e ankimoi vendimin e Akuzës, duke mos qenë dakord me të.

Opozita e kallëzoi arkitektin e huaj për akuzën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm dhe ushtrim i ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ndër të tjera në dokument thuhet se arkitekti ka marrë përsipër realizimin e projektit në mënyrë private nga kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë në arsyetimin e tij prokurori Hysa thekson se pasi shqyrtoi kallëzimin, arrin në konkluzionin se nuk ka bazë ligjore, për fillimin e procedimit penal. Kjo për faktin se punimet për ndërtimin e teatrit të ri nuk kanë nisur dhe për rrjedhojë nuk rezulton që subjekti i kallëzuar të ketë ofruar shërbime.

“Nuk është në objektin e punës së prokurorisë të gjykojë mbi vlefshmërinë e akteve ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetëror si dhe mbi faktin nëse duhet shembur ose jo godina e teatrit Kombëtar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.


Shtuar 22.02.2020 13:20