Zbulohet identiteti i dy punonjësve që humbën jetën në minierën e Artanës

Dy punonjës në minierën e Artanës kanë humbur tragjikisht jetën si pasojë e një shembjeje që ndodhi gjatë punës.

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë ka publikuar identitetin e dy punëtorëve pas ngjarjes së rëndë.

Sipas njoftimit të lëshuar për media, viktimat janë Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifaj. Idriz Gerbeshi ka qenë xehëtar dhe banonte në Hajvali, ndërsa Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan.

Siç njoftoi ministria, shembja në minierë ka ndodhur në mënyrë të papritur ndërsa shtohet se ka qenë një masë shkëmbore.

Njoftimi i plotë

Të nderuar qytetarë,

Shprehim keqardhje të thellë për fatkeqësinë e ndodhur sot, me 2 qershor, në minierën e Artanës ku kanë humbur jetën Idriz Gerbeshi dhe Haki Arifaj. Idriz Gerbeshi ka qenë xehëtar me banim në Hajvali, ndërsa Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan.

Ngjarja ka ndodhur me shembjen e pa pritur të masës shkëmbore në minierën Artana.

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve dhe shoqërisë së të ndjerëve.

Autoritetet e Republikës së Kosovës po angazhohen maksimalisht për t’u dalë në ndihmë të gjithë minatorëve dhe familjarëve të prekur.


Shtuar 2.06.2020 13:19