Thaçi takon krerët e institucioneve të drejtësisë, diskutohet parandalimi i COVID 19 në burgje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19 në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për ta penguar përhapjen në këto institucione.

Në këtë takim ishin drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Presidenti Thaçi u shpreh se ndonëse është lajm i mirë që ende nuk ka raste të infektimit me coronavirus në institucionet korrektuese, megjithatë duhet marrë çdo hap që të parandalohet kjo.

“Është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe është me rëndësi që institucionet e Republikës së Kosovës të kujdesen për çdo qytetar dhe të gjejnë zgjidhje për çdo qytetar, në përputhje me ligjet në fuqi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në takim u diskutuan hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse dhe u theksua që në kërkim të një zgjidhjeje sa më shpejt të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës dhe mekanizmat e shëndetit publik.


Shtuar 15.04.2020 10:34