Shqiptarët vijojnë të mosbinden, arrestime e mbi 600 gjoba gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Shtetit ka vijuar kontrollin me qëllim zbtimin e masave parandaluese të COVID 19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 130 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi F. M., banues në Tiranë dhe është proceduar penalisht shtetasi U. A., pasi nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi E. P., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.18 mg/l dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në Fier është arrestuar në flagrancë shtetasi B. B., banues në Fier, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.02 mg/l dhe nuk i ka ndaluar pikës së kontrollit.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi M. R., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 629 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 7 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.


Shtuar 15.04.2020 10:22