Thaçi dhe Kurti nuk i ndalin polemikat, këtë herë për dialogun me Serbinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti u janë kthyer mospajtimeve dhe polemikave në distancë.

Këto polemika kësaj here u nxitën për shkak të dialogut me Serbinë dhe se kush do ta ketë bajrakun në këtë, pasi kryeministri në detyrë i ka dërguar një letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Duke polemizuar në distancë, nga deklaratat e tyre duket se dy liderët shtetërore duan të jenë prirës të dialogu me Serbinë, proces ky që është duke zgjatur me vite.

Ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar në BE idenë për formimin e dy ekipeve negociatore për dialogun Kosovë-Serbi, njëri që do të jetë politik dhe tjetri profesional e këshillues.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmes së cilës i ka uruar atij marrjen e detyrës.

Kryeministri në detyrë Kurti, përmes kësaj letre është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve.

Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Miroslav Lajçak, ia ka kthyer letrën kryeministrit në detyrë Kurti duke theksuar se është i inkurajuar pasi e ka lexuar letrën e kryeministrit në detyrë Kurti, i cili ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e Dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.

“Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur para në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur Dialogun e Lehtësuar nga BE”, shkruan Lajçak në letrën drejtuar Kurtit.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Presidencës, në të cilin thuhet se kryeministri në detyrë nuk është konsultuar me presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme dhe se Kurti nuk ka as legjitimitet politik për të udhëhequr me dialogun pasi është i shkarkuar nga Kuvendi.

Një njoftim të Presidencës thuhet se kryeministri në largim nuk është konsultuar me presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme.

Në njoftim thuhet se “Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim”. “Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese. Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas presidencës, lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.

Por kësaj deklarate të Presidencës i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

Ai në një prononcim për media ka thënë se ka thënë se një ide e tillë buron nga kompetencat dhe përgjegjësitë Kushtetuese të cilat i ka kryeministri i Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë është mbështetur edhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i qershorit të vitit të kaluar.

Kryeziu ka deklaruar se Kurti do të vazhdojë të luajë rolin e tij Kushtetues deri në zgjedhjes së kryeministrit të ri.

Ai madje u ka bërë ftesë të gjitha institucioneve që janë të përfshira në ekipet negociatore që të jenë pjesë punës së përbashkët.

“Për aq kohë sa kryeministri Kurti vazhdon të jetë në detyrë dhe në zyrë ai patjetër sillet si kryeministër si një kryeministër deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri. Këto propozime e sugjerime, e ide janë në kuadër të përgatitjeve paraprake për rifillimin e dialogut ashtu që këto t’i shërbejnë dialogut kurdo që ai ë jetë i gatshëm që të rifillojë. Dhe propozimet janë përfundimisht në kuadër të kompetencave të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe ne bëjmë ftesë që të gjitha institucionet të cilat janë të përfaqësuara të përfshira në këto ekipe të jenë pjesë e këtyre ekipeve bashkë me partitë politike ashtu që të krijojmë një pajtueshmëri të gjerë politike dhe përfundimisht njëherë e përgjithmonë të përfaqësohemi me një zë sa i përket çështjeve të rëndësisë nacionale”, tha ai.

I pyetur se a është konsultuar Kurti paraprakisht me të apostrofuarit në këto ekipe, Kryeziu ka thënë se konsultat do të fillojnë tani.

Ndryshe, kryeministri në detyrë, i ka dërguar më 3 prill të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak listën e ekipit negociator për dialogun me Serbinë.

Përbërja e ekipit është: Albin Kurti – kryeministër dhe udhëheqës i ekipit negociator, Hashim Thaçi – president, anëtar, Vjosa Osmani – kryetare e Kuvendit, anëtare, përfaqësuesi i LVV, anëtar, përfaqësuesi i LDK, anëtar përfaqësuesi i PDK, anëtar, përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar, përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar, përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar dhe përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar.


Shtuar 10.04.2020 07:30