Takimi Thaçi-Vuçiç në Uashington, Kurti: Nuk kam qenë në dijeni

Kryeministri Albin Kurti tha sot se nuk ka qenë në dijeni për takimin e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq në Uashington.

Kryeministri Kurti këto komente i bëri pas punëtorisë, organizuar nga Oda e Afarizmit.

Kurti mes tjerash tha se presidenti Thaçi para se të shkonte në SHBA do të duhej të raportonte më Kuvend, e të zhvillonte takime me të për unifikim të politikës së jashtme, e jo pasi i ka përfunduar ato.

“Unë nuk kam qenë në dijeni për këtë takim, vetëm jam në dijeni që është interesuar të vijë në Kuvendin e Republikës. Besoj që para se të shkojë është dashur të vijë në Kuvendin e Republikës. Para se të shkojë është dashur të vijë te kryeministri i ri në mënyrë që të dakordohemi për politikën e jashtme. Ne duhet të kemi një politikë të unifikuar të jashtme si Kosovë. Është gabim që nuk ka ardhur në institucionet tona para se të provojë dakordime me Serbinë”, tha ai.

Kurti ka folur edhe për taksën ndaj Serbisë. Ai tha se njoftimit për largim të tarifës në lëndën e parë për produktet e Serbisë, kjo e fundit po i përgjigjet me intensifikim të fushatës kundër njohjeve të Kosovës.


Shtuar 3.03.2020 13:53