Masakra e Mejës, 21 vjet dhimbje dhe po aq pritje nga familjarët për drejtësi (VIDEO)

“Jeta pa bashkëshortin si shtëpia pa kulm”.

Me lot në sy i përshkruan vitet e kaluara pa burrin e saj, Fadilin, Naxhije Gaxheri nga Gjakova, transmeton KOHA.

Në 21-vjetorin e vdekjes së tij, Naxhija, e cila mbeti e vetme me dy fëmijë ndihet më shumë se kurrë e zhgënjyer.

Fadili ishte në mesin e rreth 374 civilëve shqiptarë që u vranë e u masakruan në prill të 1999-s në Mejë nga forcat serbe.

Me orë po qëndron te varri i vëllait, Hasan Malushaj, që malli për të thotë të mos iu ketë shuar e dhimbja sa vjen e i shtohet.

Ai dhe familjarët e tjerë kërkojnë që kryerësit e krimeve të luftës të dalin para drejtësisë.

Që kriminelët, sipas tyre, të marrin dënimin e merituar asnjëherë nuk është vonë pasi theksojnë se vetëm në këtë mënyrë dhimbja për më të dashurit do t’u lehtësohej.

21 vjet pas ende nuk dihet për fatin edhe të 13 personave të zhdukur nga kjo masakër.

Në Mejë, më 27 prill të 1999-s nga njësi të ushtrisë serbe u masakruan e u vranë rreth 374 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve u gjetën disa vjet më vonë në Batajnicë të Serbisë.

Për këtë, më 27 prill në Kosovë shënohet Dita e të pagjeturve, ku të zhdukur vazhdojnë të mbesin mbi 1600 persona.


Shtuar 27.04.2020 18:01