I infektuari me koronavirus në Podujevë erdhi nga Italia para dhjetë dite

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës bën të ditur se rasti pozitiv me Covid 19 që ka rezultuar në Podujevë është i gjinisë mashkullore.

“Rasti tjetër është nga Komuna e Podujevës, i gjinisë mashkullore, me moshë 62 vjeç i ardhur direkt nga Italia më 05.03.2020 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka konfirmuar edhe 4 raste të reja me koronavirus.

“Të nderuar qytetarë, Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus). Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19. Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik. Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ju faleminderit për mirëkuptim”, ka shkruar ai.Të premten u raportuan dy rastet e para në Klinë dhe Viti. Të shtunën në mbrëmje dolën edhe rastet e reja në Komunën e Malishevës. Të tri këto qytete kanë hyrë karantininë.


Shtuar 15.03.2020 22:08