Borrell letër Kurtit: Hiq plotësisht taksën ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pranoi se ka marrë një letër nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Borrell në letrën e tij është shprehur i kënaqur me kryeministrin, që, siç ka thënë, “marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore”.

“Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj për vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Këto janë elemente kyçe për të ardhmen tuaj”, ka thënë Borrell, raporton Rel.

Ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare “besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve është i domosdoshëm dhe urgjent” dhe se “do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave”.

“Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve”, ka thënë mes tjerash Borrell. /albeu.com/


Shtuar 13.03.2020 08:37