Katër burra janë arrestuar për vrasjen e Rafiki-t, një nga gorillat malore më të njohura dhe më të rrallat e Ugandës, dhe pritet të dënohen me burgim të përjetshëm ose me gjobë prej 5.4 milionë dollarë nëse shpallen fajtorë.
Hetimet treguan se Rafiki u vra me një objekt të mprehtë që i depërtoi në organet e brendshme.
Ekzistojnë më pak se 1000 gorilla malore dhe Autoriteti i Jetës së Egër në Ugandë e përshkroi ngjarjen si “goditje shumë të madhe”.
Mendohet se Rafiki ishte rreth 25 vjeç dhe drejtonte grupin prej 17 gorillash malore, të cilat kanë pasur kontakt me njerëzit dhe janë jashtëzakonisht miqësore shkruan bbc.
Rafiki u gjend në një fshat aty pranë i rrethuar nga pajisje gjuetie. Një nga burrat u shpreh se e goditi për t’u vetëmbrojtur. Nëse shpallen fajtor, burrat pritet të gjykohen në bazë të ligjit që mbron jetën e kafshëve të egra, të miratuar vitin e kaluar.
Gorillat malore konsiderohen specie të rralla në rajonin e Kongos, Ruandës dhe Ugandës. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës i klasifikon si specie në rrezik zhdukje.
