Humb jetën personi i parë i infektuar me koronavirus në Hungari

Një i moshuar 75-vjeçar është bërë jeta e parë që merr koronavirusi në Hungari. Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë Zoltan Kovacs, të dielën me anë të një postimi në Tëitter.

Në postim shkruhej:

“Vdekja e parë në Hungari si pasojë e #coronavirus. Viktima ishte një 75-vjeçar i cili u dërgua në spitalin Dél-Pesti Central me simptoma të virusit dhe pneumoni. Ai ndërroi jetë shumë pak pasi arriti në spital. U prehtë në paqe.”

Deri më tani numri i personave të infektuar me Covid-19 në Hungari ka shkuar në 32 ndërsa vetëm një person është shëruar totalisht.Kujtojmë këtu se në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, katër ditë më parë Hungaria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Të gjitha fluturimet nga Italia, Koreja Jugore, Irani dhe Kina janë pezulluar. Po ashtu, janë mbyllur edhe universitetet dhe janë anuluar të gjitha organizimet që mbledhin qindra pjesëmarrës në ambiente të mbyllura dhe të hapura.


Shtuar 15.03.2020 15:50