Atentati ndaj ish deputetit të PS-së në Fushë-Kuqe, autori djali i vëzhguesit të “Bashkë Fitojmë”

Ish-deputeti socialist Armando Prenga denoncoi ditën e sotme se në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me armë zjarri.

Mësohet se autor i dyshuar i ngjarjes është F.Ismajli, djali i avokatit Islam Ismajli, i cili ishte i angazhuar në fushatë për koalicionin Bashkë Fitojmë.

Ismajli një ditë pas zgjedhjeve kishte denoncuar për agresion Arben Prengën, vëllanë e ish deputetit.

Ndërkohë incidenti mes Ismajlit dhe Prengës mësohet se ka ndodhur gjatë numërimit të votave.

Njoftimi i policisë: 

Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njofuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti/Albeu.com/


Shtuar 17.05.2023 17:57