AKSHI saboton SPAK-un në hetimin e Sterilizimit, si u fshehen e-mailet: Thellohet skandali

Agjencia Kombëtarë e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nuk ka transmetuar të gjitha e-mailet e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në prokurorinë e posaçme SPAK.

Drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka kthyer informacion në SPAK, jo të plotë dhe të cunguar, për sa i përket shtrirjes kohore që kishte kërkuar oficeri i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurori i çështjes.

Kjo gjë ka ngritur pikëpyetje, megjithëse SPAK tashmë ka ndarë hetimin duke u përqendruar dhe shtrirë verifikimet tek Ilir Beqja, Shkëlqim Cani, subjekti tregtar “Investital”, Gentian Këri dhe tre anëtarët e tjerë të KPP-së.

Për shkak të pikëpyetjeve të ngritura, në 20 shtator 2022 SPAK i ridërgon një shkresë të dytë AKSHI-t, duke i kërkuar informacionin e plotë për periudhën 3 vjeçare.

Por pas 20 ditësh nga mbërritja e shkresës së dytë, në 10 Tetor 2022, AKSHI informon SPAK se nuk kishte e-maile të tjera, veç atyre që i kishte dërguar në përgjigjen e herës së parë.

Koha kur janë kërkuar nga SPAK komunikimet elektronike përmes e-maileve është nga 1 Tetori 2013 deri në 1 qershor 2016.

SPAK, ka marrë një sasi të vogël e-maile nga AKSHI, duke krijuar dyshime për një sabotim të mundshëm të hetimit, dhe fshehur pjesë të konsiderueshme të e-maileve të shkëmbyera mes Ilir Rrapaj, Klodian Rjepaj, Ilir Beqja dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit dhe Grupit të Punës për negocimin e kontratës koncesionare.

Mos gjetja e e-maileve dhe mos gjetja e kontratës origjinale së koncesionet të “Sterilizimit” krijon përshtyptjet se një dorë ka vepruar për të zhdukur provat me qëllimin e vetëm që SPAK të mos bjerë në gjurmët e tyre.

“Ora News” raporton se në 8 shtator 2022, SPAK përmes një shkresë ka kërkuar tek institucioni i AKSHI-t, të dhëna mbi komunikimet elektronike e-mail të adresave zyrtare të Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësie, Klodian Rjepaj, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë, Saimir Kadiu, Drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Ministrinë e Shëndetësisë, Petro Mersini, Drejtor i Drejtorisë Spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë, Marsela Serjani juriste në Ministrinë e Shëndetësisë, Naile Ajazi, Specialiste në Drejtorinë Ekonomike në Ministrinë e Shëndetësisë, Albana Meta, Specialiste në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Silva Novi, Përgjegjëse e Sektorit të Standardeve Spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Periudha kur janë kërkuar komunikimet elektronike përmes E-Maileve është nga 1 Tetori 2013 deri në 1 qershor 2016. Në 13 shtator 2022, AKSHI, ka çuar një përgjigje në SPAK, duke bashkangjitur në zarf një CD dhe një USB.

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, teksa kanë bërë kryerjen elektronike të CD dhe USB-së, në 15 Shtator 2022, kanë konstatuar se informacioni i dërguar nga AKSHI, nuk është i plotë dhe nuk ka e-mailet e periudhës së kërkuar për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por SPAK, sërish nuk është tërhequr nga ideja për të gjetur e-mailet, duke ridërguar në datën 20 shtator 2022 një kërkesë të dytë, dhe ri kërkuar informacioni i plotë nga ana e AKSHI-t.

Dhe në përgjigjen e 10 Tetorit 2022, AKSHI-t, sqaron SPAK-un se informacioni i dërguar më parë është i gjithë informacioni që disponojnë nga back up-i më i hershëm që ata kanë në Tetor 2016.

Sipas drejtoreshës së AKSHI-t: “…një arsye pse janë konstatuar mungesat, mund të jetë se përdoruesi mund të ketë kryer arkivim lokal të e-maileve në kompjuterin e përdoruesit…”.

Kjo përgjigje e thatë nga ana e AKSHI-t nuk është bindëse, duke lënë dyshime të forta se e-mailet ose janë fshirë qëllimisht dhe nuk ekzistojnë ose ekzistojnë dhe nuk janë dorëzuar në tavolinën e oficerëve dhe prokurorëve.

Oficerët e BKH-së kanë vijuar me këqyrjen elektronike të komunikimeve e-mail, duke konstatuar se Klodian Rjepaj, në cilësinë e zv/ministrit të Shëndetësisë, ka patur komunikime me e-mail me Ilir Rrapaj, që në momentin kur ka filluar bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë me Rajonin Umbria, në Dhjetor 2013.

Në e-mail-et e datave 22 shkurt 2014 dhe 17 Mars 2014, Ilir Rrapaj i ka dërguar Klodian Rjepaj dy dokumente draft të Studimit të Universitetit të Peruxhias, që më pas janë bërë pjesë e studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Shëndetësisë për koncesionin e sterilizimit.

Në këto komunikime Ilir Rrapaj ka përdorur adresën elektronike [email protected] që nga logoja e përdorur vërehet se është e njëjtë me atë të “Investital.LLC” e hapur në Kosovë dhe që është pjesëtare me 40 për qind të kapitalit të “SaniService”, që ka fituar koncesionin.

Nga teksti i komunikimit ndërmjet Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kuptohet se kanë njohje dhe marrëdhënie të afërt miqësore me njëri-tjetrin.

Në një nga e-mailet Ilir Rrapaj i drejtohet me tekstin: ”…Take a look!(Hidhi një sy). Shpresoj të të pëlqejë nëse është OK, e çojmë për redaktim final dhe printim. Ciao Bello…”.

Më tej është një e-mail tjetër ku Rrapaj i shkruan në postën elektronike zv/ministrit të Shëndetësisë Rjepaj, “…i dashur Fra”! Ky është teksti që të paralajmërova për të cilin Vanesa me shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë. Sidoqoftë dhe një herë të shkuara, bello Ciao…”.

E-maili i datës 17 Mars 2014 i është dërguar Ilir Rapaj nga shtetasja Vannesa Rossi nga e-maili i saj: [email protected] në adresat e tij: [email protected] në orën 8:48 am.

Më pas  Klodian Rjepaj përmbajtjen e E-mailit të dërguar nga Ilir Rapaj dhe Vannesa Rossi më datë 17 mars 2014, ja ka dërguar Ilir Beqaj më datë 17 mars 2014 ora 16.29 në adresat tij elektronike [email protected] dhe [email protected].

Sipas SPAK, Ilir Beqaj është në dijeni për marrëdhënien e ngushtë midis Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, si dhe për përfshirjen e këtij të fundit në periudhën parapërgatitore të dokumentit “Studim i Fizibilitetit” që i hapi rrugë më pas dhënien e koncesionit Ilir Rapaj.


Shtuar 22.08.2023 22:10