Stela Gugallaj ka rënë në prangat e policisë.
Stela Gugallja ishte në kërkim ndërkombëtar së bashku me Klodian Zoton.
Ajo akuzohet se është përfshirë në aferën 3.6 milionë euro të inceneratorit të Elbasanit. Stela Gugallja kërkohej në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k kurse Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Lefter Koka është arrestuar për këtë aferë më parë. Pas arrestimit të Kokës, SPAK ka thënë se në cilësinë e ministrit të Mjedisit ai ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Gugallja e Zoto, akuzohen se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.
Si funksiononte skema
Pasi morën lejen përmes dhënies së rryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.
Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm. Këto para sipas SPAK i kanë kaluar në formë rryshfeti Lefter Kokës.
Pasi janë faturuar në mënyrë fiktive, sipas SPAK, shuma prej 3.6 milion euro i ka kaluar Lefter Kokës sërish përmes faturave fiktive, tashmë të lëshuara nga dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij.
/albeu.com/