“Zhduken” biletat për ndeshjen Belgjikë – Itali, ka vetëm në tregun e zi

Avullojnë brenda pak orësh të gjitha 14 500 biletat që ishin nxjerrë në shitje për sfidën e kësaj të premteje mbrëma, Belgjikë-Itali, një ndër çerekfinalet më të pritura të këtij Europiani.

Për shkak të Covidit kapaciteti në Allianz Arena, që UEFA e emërton për eventin si Futboll Arena e Mynihut, është reduktuar në 20% të kapacitetit, dhe ata që kërkonin të siguronin një vend në stadium përmes faqes zyrtare të qeverisë europiane të futbollit shumë shpejt janë përballur me tabelën Sold Out.

Të gjitha biletat të shitura, por ndërkohë siç ndodh rëndom, në tregun e zi po bëhet kërdia pasi online gjenden ende bileta, vetëm se me çmimin deri në pesëfish më shumë se sa ishte ai fillestar i përcaktuar nga UEFA.

Në stadium tifozët mund të kenë akses vetëm me maskat e cilësuara, duke treguar Green Pass, pra që të kenë kaluar të paktën 14 ditë nga doza e dytë e vaksinës, ose certifikatën se e kanë kaluar Covid, apo një test negativ të kryer në 24 orëshin e fundit.

Italianët po bëjnë çfarë është e mundur për të siguruar një biletë, duke iu drejtuar dhe grupeve që krijohen në këto raste në Facebook, por janë përballur me rritjen e menjëhershme të biletave, pasi brenda pak orëve, çmimet e biletave që fillimisht kushtonin nga 75 deri në 225 euro, janë bërë një mollë e ndaluar për shumë tifozë, pasi në Ebay për momentin gjenden me 630 euro ndërsa në sajte të tjerë të specializuar kushtojnë edhe 1200 euro.


Shtuar 1.07.2021 16:18