Zguro, i rikthyer nga Amerika për Korçën: Ja si e gjeta Skënderbeun e ri

Skënderbeu gjen kapitenin dhe anasjelltas. Duket se “puzzle” ka filluar të plotësohet pak e nga pak dhe Skënderbeu i sezonit të ri po merr formën përfundimtare. Vangjel Zguro, pas tre muajsh, rikthehet në stërvitje dhe menjëherë merr pozicionin e liderit duke u bërë pika e referimit tek objektivi primar, rikthimi i Skënderbeut në elitë.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni i korçarëve flet haptazi për ekipin e sezonit të ri dhe arritjen e objektivave si një kërkesë primare për çdo lojtar të korçarëve.

“Jam shumë i lumtur që rikthehem dhe të them të vërtetën mezi e prisja të isha sërish këtu. Skënderbeu është një nga ato klube që nëse punon një ditë të vetme bie në dashuri dhe e njëjta gjë më ndodhi dhe mua. Ika në Amerikë për të gjetur një tjetër sistemim, por nostalgjia dhe pengu që kisha më bënë të rikthehesha prapë. E prisja me padurim fillimin e stërvitjes dhe ja ku jam sot. E shoh ekipin me shumë ndryshime.

Nga ai Skënderbe i një sezoni më parë kemi mbetur shumë pak, por është një ekip i mbushur me lojtarë që duan të arrijnë më të mirën këtu te ne. Ndryshe nga një vit më parë, ekipi aktual është një përzierje e elementëve të rinj me lojtarë me eksperiencë dhe kjo më bën që të ndihem shumë herë më mirë. Shoh që klubi ka bërë investime serioze dhe se janë ende aktivë në merkato.

Ne jemi këtu për një qëllim. Të arrijmë objektivin dhe të rikthejmë ekipin në elitë shumë shpejt. Do të punojmë fort dhe do të marrim mbi supe të gjitha përgjegjësitë tona duke bërë një sezon të mirë dhe duke mos i lënë asnjë gjë rastësisë apo të ardhmes sikundër ndodhi në sezonin e shkuar”- theksoi Vangjel Zguro për “Panorama Sport”.


Shtuar 9.08.2022 21:51