Zbardhet lista e Shpresave, Bushi: Vëmendja në Superiore, s’dua lojtarë që mendojnë vetëm ekipin A

Shqipëria U21 zhvillon grumbullimin e radhës për grumbullimin 8-ditor nga data 22 deri më datë 30 mars, kur do luhen edhe dy ndeshje miqësore. Në listë bie në sy prania e shumë lojtarëve nga Superiorja, teksa nuk mungojnë as lojtarë nga e Para.

Shkak i pranisë së madhe të tyre janë edhe kufizimet e shumta prej rregullave të pandemisë në shtete të ndryshme. Në konferencë për medie doli Alban Bushi, trajneri i konfirmuar edhe për këtë sezon i U21, i cili tregoi më shumë për lojtarët e zgjedhur.

“Falënderoj Federatën që më dha mundësinë të bëj edhe një tjetër edicion me kombëtaren U21. Është nder dhe krenari të jem pjesë e ekipit kombëtar shqiptar dhe kombëtares U21. Nga U21 e poshtë është si cikël dhe jo të gjithë lojtarët qëndrojnë. Ne kemi punuar gjithmonë. Këtë sezon kemi lojtarë shumë të rinj në ekip, na kanë ikur shumë lojtarë, por boshti është.

Kemi lojtarë nga kampionati shqiptar si Tirana, Laçi e Kukësi, që do mbajnë peshën e U21 në këtë edicion. Janë lojtarë shumë të rinj. Kemi afruar tre lojtarë që vijnë për herë të parë. Janë nga Kosova: Bytyçi, Salihu dhe Hetemi, që janë lojtarë shumë cilësorë dhe i falënderoj që kanë zgjedhur Shqipërisë dhe do jenë potencial edhe për ekipin A.

Reja aty ku ka nevojë për lojtarë do shikojë te U21, por unë shikoj edhe nga vendi Superiorja te Partizani ose Laçi, që edhe ata mund të jenë për ekipin kombëtar. Gjithsesi Reja mendon edh për 2024-ën dhe Mitaj deri atëherë mund të jetë 20 vjeç. Ai është me shumë cilësi dhe luan me AEK, një ekip shumë i mirë, por unë mendoj se mund të jetë sërish pjesë e U21.

Nuk është e thënë që tashmë të qëndrojë vetëm te kombëtarja e madhe sepse është ende i vogël dhe do i duhet akoma kohë për të marrë eksperiencë. Ne këtë sezon kemi prioritet datëlindjen 2000 dhe 2001. Për momentin këta janë portierët më të mirë të këtyre moshave. Kemi pasur problem me këtë listë, e kemi ndryshuar listën mbi tre herë, ka lojtarë që nuk kanë ardhur.

Molla i Bolonjës, që do të jetë një nga portierët kryesorë të U21 në këtë sezon pësoi dëmtim dje dhe e zëvendësuam. Jo vetëm portierët, nga Anglia dhe Skocia nuk kemi marrë asnjë lojtar prej rregullave të pandemisë. Dobra, Hoxha, Pajaziti nuk kanë ardhur dhe janë zëvendësuar me lojtarë cilësorë nga kampionati shqiptar për t’i dhënë një shans edhe atyre.

Lojtarët e Superiores, kur i thirr në U21 vijnë menjëherë dhe nuk hezitojnë. Ata nëpër Europë, që janë edhe pak më cilësor hezitojnë dhe duan më shumë ekipin A. Kjo është një zgjedhje e gabuar nga familja dhe menaxherët e tyre. Nuk dua lojtarë që e kanë mendjen te kombëtarja a nuk e di se çfarë.

Deshëm të luanim miqësore me ekipe të huaja, por e patëm të pamundur prej pandemisë. Do luajmë një ndeshje me Tiranën dhe ndeshja tjetër mund të jetë me një ekip të së Parës, që t’i përshtatet pak Andorrës. E njohim si ekip dhe luajnë mbrapa. Nuk do jetë e thjeshtë, por ne do fitojmë.

Vjet mund të kualifikoheshim, por humbëm shumë pikë. Edhe unë kam bërë disa gabime kur kthehem tani mbrapa. Jeta është eksperiencë dhe mëson. Tani dua të më vijë një ndeshje ku të jem në avantazh dhe menaxhoj mire, siç nuk kemi bërë vjet, që kemi pësuar në minutat e fundit.

Përveç Anglisë, ekipet e tjera janë të përballueshme. Të kemi grupin e fortë dhe të mos kemi dëmtime. Me Anglinë dhe Francën është e pamundur, por me një ekip si Italia mund të përballesh. Kemi qenë 1-1 deri në minutën e 90, na ka shënuar në fund. Spanja na ka mundur me një gol në minutën e 88. Janë ekipe të menaxhueshme, kurse Franca dhe Anglia janë të papërballueshme”, u shpreh Bushi.


Shtuar 20.03.2021 12:25