Ylli i United në huazim tek Sevilla përjashtohet nga ekipi pak ditë pas transferimit

Lojtari i Manchester United, Hannibal Mejbri, i cili pak kohë më parë u transferua tek Sevilla në formë huazimi, nuk do të jetë pjesë e ekipit për të ardhmen e afërt pasi raportimet nga Spanja thonë se ai është përleshur në stërvitje me një lojtar tjetër.

21-vjeçari u bë pjesë e klubit andaluzian në formë huazimi deri në fund të sezonit më herët gjatë këtij muaji, në një marrëveshje e cila përfshin edhe klauzolën e blerjes përfundimtare të kartonit.

Mejbri bëri debutimin e tij në La Liga kur u fut nga banka rezervë në humbjen e thellë me rezultat 5-1 ndaj Gironas vikendin e kaluar, por u la jashtë listës së lojtarëve të ftuar për duelin në mesjavë ndaj Atletico Madridit në Kupën e Mbretit.

Sevilla do të kthehen në aksion sot (e diel) ndaj Osaunës, por reprezentuesi tunizian nuk do të jetë i përfshirë, pasi trajneri Quiqe Sanchez Flores ka shpjeguar se mesfushori ka nevojë ‘të kuptojë se është pjesë e Sevillas dhe të veprojë sipas kësaj’ në një deklaratë që e dha të shtunën.

“Pasi bisedova me të dhe i dhashë minutat e para ndaj Gironas, ne do t’i japim atij hapësirën e nevojshme për ta kuptuar se ku gjendet, se ai është tek Sevilla dhe çfarë do të thotë kjo”, ka thënë Flores.

“Ai duhet ta di se ku është dhe çfarë duam nga ai. Ne kemi biseduar me të dhe besojmë se ai do të ketë pak kohë për të mësuar, ne dëshirojmë t’i japim hapësirë dhe kohë për të parë gjërat nga jashtë dhe më pas do të rikthehet në ekip”, u shpreh ai.

“Në fund ata janë fëmijë që vijnë papritmas në një klub të madh si Sevilla në rrethana ku kërkesat janë maksimale, andaj iu duhet pak kohë. Ju duhet të bëni një hap para për të ditur se çfarë duam nga ju”, përfundoi trajneri i Sevillës./Telegrafi/