Jan Vertongen me sa duket do të ketë një telash të pazakontë me të cilin të përballet në ndeshjen mes Belgjikës së tij dhe Portugalisë, për një biletë në çerekfinalet e EURO 2020, Mbrojtësi belg, ka treguar në konferencë për shtyp para sfidës se ka një problem të madh në familjen e tij që kur ai është transferuar te Benfika në kampionatin portugez.
“Fëmijët e mi shkojnë në shkollë në Lisbonë dhe si të gjithë të tjerët, bëjnë tifo për përfaqësuesen e Portugalisë. M’u desh t’i shpjegoja atyre se babai do të luante kundër Portugalisë. Nuk besoj se e kanë kuptuar edhe aq mirë”, tha ai duke qeshur para gazetarëve.
Për Vertongen, një veteran i përfaqësueses belge, ndeshjet ndaj Portugalisë janë gjithmonë të veçanta. “Unë kam regjistruar si ndeshjen e parë, ashtu edhe atë të 100 me fanellën e përfaqësueses duke luajtur kundër Portugalisë. Ajo kombëtare duket sikur është një pikë kyçe e karrierës time. Do të jetë diçka speciale ta përballoj përsëri”, tha Vertongen, i cili ka luajtur deri tani 126 ndeshje me përfaqësuesen dhe mban rekordin te Belgjika.