Kosova ka shënuar përparimin më të madh në historinë e saj në renditjen e FIFA-s. Pas përfundimit të ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve, përfaqësuesja kosovare është pozicionuar e 76-ta në botë.
Të lidhura
None found
Dardanët kanë përmirësuar rekordin e mëparshëm, që ishte vendi i 78-të dhe që ishte arritur në vitin 2026. Në klasifikimin zyrtar të korrikut, Kosova renditej në pozitën e 78-të, ndërsa tani ka avancuar edhe për dy vende, duke lënë pas Izraelin dhe Bolivinë.
Ky progres bëhet më i qartë kur shihet në raport me renditjet e viteve të fundit. Kosova e përfundoi vitin 2025 në vendin e 80-të, ndërsa në fund të vitit 2024 ishte pozicionuar e 99-ta.
Një vit më herët, në 2023, Dardanët gjendeshin në pozitën e 101-të, kurse në vitin 2022 renditeshin të 107-tit.
Brenda një periudhe prej katër vitesh, Kosova ka kaluar nga vendi i 107-të në të 76-in. Përparimi është edhe më i theksuar në krahasim me vitin 2017, kur përfaqësuesja ishte në pozitën e 177-të.
Ngjitja e fundit në klasifikim pason rezultatet e marra në Ligën e Kombeve. Në katër ndeshjet e para, Kosova ka grumbulluar pesë pikë dhe aktualisht zë vendin e dytë në grup.
Gjatë muajit nëntor, Dardanët do të luajnë edhe dy takime, përballë Izraelit dhe Irlandës. Këto ndeshje u japin mundësinë të avancojnë më tej në renditjen botërore.
