Trajneri i mirënjohur francez, aktualisht përgjegjës i zhvillimit të futbollit botëror në FIFA, Arsen Wenger ka dhënë një intervistë për gjermanen “Kicker”, ku ka hedhur një ide revolucionare sa u përket ndeshjeve të përfaqësueseve.
Duke qenë se shumë trajnerë klubesh ankohen për ndërprerjet e shpeshta të kampionateve dhe dëmtimet e futbollistëve në përfaqësuese, Wenger ka thënë se do të ishte më mirë që këto të fundit të luanin në një muaj të vetëm.
“Do të ishte mirë që përfaqësueset të grumbulloheshin në muajin tetor dhe të luanin të 7 ndeshjet eliminatore në program, ndërsa më pas të grumbulloheshin për fazën finale në qershor. Në këtë mënyrë do të shmangeshin udhëtimet e shumta, por edhe dëmtimet e futbollistëve. Këtë vit Lewandowski u dëmtua në një ndeshje ndaj Andorrës me përfaqësuesen polake dhe komplikoi rrugëtimin e skuadrës së Bayernit, pasi nuk ishte në dispozicion të trajnerit për ndeshje të rëndësishme. Kjo nuk është e drejtë”, deklaroi Wenger.
Më pas francezi hodhi idenë që edhe Kupa e Botës, apo kompeticione të tjera ndërkombëtare si Kampionati Europian, Copa America, etj., të zhvillohen çdo dy vite, megjithatë e sigurt është që deri në 2024-ën nuk do të ndryshojë asgjë.
“Nëse futbollistët grumbullohen në tetor me kombëtaret dhe më pas udhëtojnë drejt klubeve për të nisur sezonin, do t’u garantohej edhe një periudhë pushimi më e gjatë. Mendojeni kështu, që më 2026-ën të ketë Kampionat Botëror, më 2027-ën Euriopian e turne të tjera, më 2028-ën sërish Botëror. Pra një organizim madhor çdo dy vite, me eliminatoret në tetor dhe fazën finale në fillim të verës”, u shpreh Wenger.