Trajneri i Portugalisë: Nëse luajmë finalen ndaj Gjermanisë, e mundim

Fernando Santos, trajneri i Portugalisë, u tregua optimist pas humbjes 4-2 ndaj Gjermanisë. Sipas tij, ndeshja u luajt në fushën gjermane dhe kjo ndikoi në mënyrë të padiskutueshme.

“Duhet të kemi parasysh faktorin fushë. Ekipe si Gjermania kanë shumë cilësi individuale dhe kolektive. Por, mendoj se nëse do të luajmë finalen kundër Gjermanisë, fitojmë ne”, tha Santos.

“Nuk kam asnjë dyshim që Portugalia është ndër ekipet më të mira në botë. Por, është normale që kur luan në Gjermani, nuk mund të jesh favorit”, deklaroi më tej trajneri portugez.

Pas dy ndeshjeve të para të grupit, Portugalia ndodhet në pozitë të vështirë, pasi do të luftojë për kualifikimin ndaj Francës. Një humbje do t’ia vështirësonte kalimin më tej, si një nga ekipet e treta më të mira të grupeve. Ndeshja Portugali-Francë do të luhet të mërkurën.


Shtuar 21.06.2021 15:50