Tirana është ndalur sërish, këtë herë ndaj Kastriotit, në barazim 1-1 në stadiumin e Kamzës. Krutanët shënuan të parët e më pas bardheblutë barazuan, por nuk përmbysën dot.
Në minutën e 24-t Michael Ngoo dha një pasim të shkëlqyer për Xhixhën, i cili përballë portierit humbi mundësinë e artë për të shënuar, duke e dërguar topin disa centimetra jashtë kuadratit.
Nëse nuk shënon, do pësosh dhe ligji i pashkruar shkoi në dëm të Tiranës. Hoxhallari në rënie e sipër preku topin më dorë dhe gjyqtari, pa pasur nevojën për konsultim në VAR, akordoi penallti.
Protesta nga Tirana, por pa efekt. Penalltinë e mori përsipër Karakaçi, i cili u ndal fillimisht nga portieri Bekaj, por më pas topi iu kthye në vendin e duhur dhe shënoi me kokë në të 41-tën.
Pas golit të pasuar Tirana tentoi akoma më shumë dhe shtyu para. Me nisjen e pjesës së dytë skuadra e Shehit gjeti barazimin. Në të 49-tën Taulant Seferi devijoi në rrjetë krosin e Ismajlgecit nga këndi dhe tundi rrjetën.