Ministria e Sportit dhe Rinisë ka shpallur tenderin për ndërtimin e dy fushave të futbollit në kuadër të Klubit të Futbollit Trepça, duke konkretizuar një projekt të rëndësishëm për infrastrukturën sportive në Mitrovicë.
Të lidhura
None found
Investimi ka një vlerë të parashikuar prej 2,139,130.62 eurosh, ndërsa ofertat për këtë tender mund të dorëzohen deri më 26 tetor 2026.
Njoftimin e ka bërë publik Gazmend Asllani, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Ai e ka përshkruar projektin si një investim me rëndësi për sportin dhe brezat e rinj të qytetit.
Asllani ka shprehur mirënjohje ndaj kryetarit të Komunës, Faton Pecit, për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti.
“Për dikë, dikur, ishte e pamundur, sot tenderi për ndërtimin e dy fushave të futbollit për KF Trepça është i publikuar”.
”Mbi 2.1 milionë euro investim për sportin, për Trepçën dhe për gjeneratat e reja të Mitrovicës”.
“Kur ka vullnet, punë dhe përkushtim, edhe ajo që dukej e pamundur bëhet realitet”.
“Një falënderim i veçantë për Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për përkrahjen e parezervë dhe angazhimin e vazhdueshëm në realizimin e projekteve të rëndësishme për sportin e Mitrovicës”.
“Nga ideja te puna konkrete. Nga premtimi te realizimi. Për Trepçën, për sportin dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Puna vazhdon!”, ka shkruar Asllani.






