Barcelona është ndër klubet e interesuara për nënshkrimin e Paulo Dybala si lojtar i lirë gjatë verës, ndërkohë që janë zbuluar kushtet e Manchester United për huazimin e Anthony Martial.
Sulmuesi francez është ndër objektivat e Zonjës së Vjetër për të zëvendësuar të dëmtuarin Federico Chiesa.
Martial po kërkon një rrugë shpëtimi nga Old Trafford, por CEO i Juventusit, Maurizio Arrivabene zbuloi dje se francezi është ‘shumë i shtrenjtë’ për Zonjën e Vjetër.
Calciomercato.com raporton se Djajtë e Kuq duan që Juventusi të paguajë pagën e Martial deri në fund të sezonit (7.5 milionë euro deri në qershor) plus një tarifë huazimi prej 5 milionë euro.
Gjigantët e Serisë A nuk janë të gatshëm të paguajnë aq shumë.
Kjo është arsyeja pse ata janë të hapur vetëm për të marrë lojtarë të rinj në huazim ose transferime falas.
Mauro Icardi mbetet një opsion, por vetëm në një marrëveshje huazimi deri në fund të sezonit.
Ndërkohë, saga e kontratës së Dybala është larg përfundimit.
Negociatat mes bardhezinjve dhe La Joya do të rifillojnë në shkurt, por sipas Tuttosport, Barcelona është ndër klubet e interesuara për 28-vjeçarin dhe e njëjta gjë vlen edhe për Tottenham dhe Inter.