Franco Foda ka folur për vendimin e Amir Rrahmanit që të largohet nga përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa ka mohuar pretendimet se lojtarë të tjerë po mendojnë ta bojkotojnë Kombëtaren.
Të lidhura
None found
Trajneri i Kosovës bëri të ditur se kapiteni e kishte njoftuar personalisht për tërheqjen. Rrahmani e ndërlidhi vendimin e tij me vazhdimin e drejtimit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga udhëheqësit aktualë.
“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahmani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë”, deklaroi Foda.
Gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës ndërmjet Sturm Grazit dhe Rennesit, ai tha për CANAL+ se pret që futbollistët e grumbulluar të paraqiten sipas planit.
“Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua”, u shpreh përzgjedhësi.
Deklaratat e Fodës u publikuan të enjten nga mediumi austriak Laola1.
Ai hodhi poshtë mundësinë që largimi i Rrahmanit të pasohet nga tërheqje të tjera prej ekipit kombëtar.
“Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, theksoi Foda.
Rrahmani e mbylli rrugëtimin e tij me Kosovën pas 66 ndeshjeve, shtatë golave dhe shtatë vjetëve si kapiten.
Pavarësisht tërheqjes së Rrahmanit, Foda pret që lojtarët e ftuar të mblidhen të hënën dhe të fillojnë së bashku përgatitjet për ndeshjet e ardhshme.
