Taulant Xhaka merr vendimin, do të tërhiqet nga futbolli në fund të sezonit

Mesfushori Taulant Xhaka do të tërhiqet në fund të këtij sezoni. Pas një karriere të pasur, lojtari shqiptar ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur në moshën 34-vjeçare.

Ky lajm u bë i ditur nga klubi i Basel-it, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Gjithmonë ka qenë e rëndësishme për mua që të vendosja vetë, kur do të ndaloja së luajturi futboll. Në fund të muajit Mars do të jem 34 vjeç. Mendoj se e është e duhur që të tërhiqem në këtë moshë, siç kam edhe numrin 34 në fanellë, që nga rinia ime”, tha Xhaka.

Mesfushori ia kushtoi të gjithë karrierën e tij Basel-it në Zvicër, përveç dy sezoneve si i huazuar te Grasshoper.

Pas më shumë se 400 ndeshje, Xhaka do të varë këpucët në gozhdë në fund të sezonit, duke i dhënë fund një karriere spektakolare.

Xhaka luajti për fanellën e Shqipërisë për 31 ndeshje, ku shënoi një gol, atë ndaj Izraelit në Shtator 2018. Mesfushori njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja në vitin 2021.


Shtuar 12.02.2025 17:58

Tags: ,