Sylvinho rrëfen Shqipërinë, trajneri “Kuqezi” tregon për Kombëtaren në mediat braziliane

Ndryshimi i skemës dhe xhiro nëpër botë për të zbuluar lojtarët e duhur. Sylvinho “rrëfen” Shqipërinë e tij në vendlindje, duke zbuluar edhe lëvizjet që sipas teknikut sollën triumfin e kombëtares kuqezi dhe kualifikimin e saj në fianalet e Euro 2024.

Ky sukses vijon të ketë jehonë, me gazetën braziliane “UOL Esporte” që i ka kushtuar një hapësirë të madhe suksesit të Sylvinho.

“Fillimisht ke 10 ose 12 futbollistë të njohur dhe pastaj bën një listë pritjeje me 50 lojtarë. Nuk mund të humbnim kohë: duhej të shikonim të gjitha ndeshjet e futbollistëve që nuk i njihnim. Ata që nuk mundëm t’i shihnim, kërkuan informacione për lëvizje, video dhe gjithçka e vendosëm në një tabelë. Duke ditur se në cilin pozicion na mungojnë lojtarët, në cilin repart duhet të improvizojmë, cilat pjesë të reja të vendosim në ekip me ndryshimin nga 3-5-2 në 4-3-3, ishte një proces shumë interesant”.

Sylvinho më pas ndalet te finalet e Euro 2024, ku nuk kënaqet vetëm me pjesmarrjen.

“Është e drejtë të thuhet se është grupi më i vështirë. Ata janë të gjithë teorikisht më të fortë se ne. Ne do të testojmë forcën tonë. Këto janë tre skuadra që me siguri mund të themi se luftojnë për të shkuar sa më larg dhe për të fituar turneun. Për ne është krenari kur njerëzit thonë ‘ka një Shqipëri të vështirë atje’.Ne u kualifikuam në vendin e parë dhe tani ata do të fillojnë të na kushtojnë vëmendje”.

Trajneri i Kombëtares shqiptare sheh më larg, duke ngritur lart stekën e pretendimeve të tij dhe skuadrës “kuqezi”.

“Ajo që ne përpiqemi t’u përcjellim është ideja se ne do të luajmë në një Europian dhe duhet të përpiqemi të luajmë më shpesh. Pastaj, kush e di në të ardhmen, të arrijë një Kupë Bote. Kjo do të japë mundësi për të luajtur më shpesh, për të qenë më komod në këto kompeticione të rëndësishme”.

Kombëtarja e Shqipërisë do të bëjë debutimin e saj në finalet e Euro 2024 më 15 qershor me ndeshjen në Dortmund kundër Italisë. /abcnews.al


Shtuar 29.12.2023 11:40