Ukraina mbetet nën kërcënimin rus, teksa dita-ditës shumë qytetarë janë detyruar të braktisin vendlindjen e tyre për të mos rrezikuar jetën. Deri më tani, më shumë se 2 milionë ukrainas kanë ikur nga vendi i tyre, ndërkohë që autoritetet ukrainase po përkujdesen që qytetarët e tyre të jenë të sigurt deri në momentin e fundit që janë brenda territorit.
Kështu, stadium i Lviv, aty ku ka luajtur ndeshjet Shkakhtar i Donetskut, por edhe vendasit e Lviv dhe Rukh Lviv, është kthyer në një qendër strehimi për qytetarët që largohen dhe kanë nevojë për një strehë të sigurt përgjatë kalvarit për të mbërritur në kufirin me Poloninë.
Stadium i cili ka mika një kapacitet prej 34.900 ulësesh, ndërsa tashmë mund të streheojë momentalisht deri në 3000 persona. Drejtori i komunikimeve të Shakhtar, Yuri Sviridov tregon se impianti ka nevojë për ndihma në mënyrë që njerëzve t’iu përmbushen disa nevoja bazë.
“Po mundohemi të jemi të dobishëm dhe të krijojmë një strehë të sigurt në stadiumin e Lviv. Ky impiant ka mirëpritur edhe ndeshje të Euro 2012 dhe ne kemi luajtur ndeshje të Ligës së Kampionëve këtu. Mirëpo, tashmë ka një tjetër funksion dhe së bashku me autoritetet po mundohemi të krijojmë një hapësirë të sigurtë për 2 deri në 3 mijë persona.
Nëse klubet e tjera duan të na bashkohen duke dërguar ushqime, dyshekë apo batanije, atëherë do të na ndihmonin shumë. Kemi Benficën e cila ka dërguar pesë kamionë me ushqime, rroba dhe ilaçe. Ndërkohë, edhe Legia ka menduar të mbledhë në stadiumin e saj ushqime apo batanije dhe më pas të na i dërgojë këtu”, u shpreh Sviridov.
Qyteti i Lviv është 90 kilometra larg kufirit me Poloninë dhe deri më tani, trupat ushtarake ruse nuk kanë mbërritur ende, ndaj cilësohet si një rrugëkalim i sigurtë për ata që po largohen nga Ukraina./ SS