Si e transformuan Anglinë guximi dhe komunikimi i Southgatet

Pesë vjet pasi Gareth Southgate u hodh në rolin e përzgjedhësit të Anglisë, pasi mbretërimi 67-ditor i Sam Allardycet përfundoi me turp, “Tre Luanët” kanë arritur në finalen e tyre të parë të turneut të madh për 55 vjet.

Southgate, i emëruar fillimisht mbi një bazë të përkohshme, u pa si një model i pastër që i duhej Federatës së Futbollit të Anglisë, pasi Allardyce u rrëzua nga një gazetë që pretendonte se ai ofroi këshilla se si të “shpërfilleshin” rregullat për transferimet e lojtarëve.

Një aventurë trevjeçare te Middlesbrough, që përfundoi me rënie nga Premier League, dhe rezultatet e përziera me Anglinë U21, ishin gjithçka që Southgate kishte për të ofruar në CV-në e trajnerit kur u emërua. Sidoqoftë, ai e drejtoi vendin e tij në një gjysmëfinale të Kupës së Botës pas 28 vjetësh në turneun e tij të parë në krye të ekipit, tre vjet më parë në Rusi dhe tani ka shkuar atje ku asnjë përzgjedhës i Anglisë nuk ka arritur më parë, në finalen e Kampionatit Evropian.

“Guximi i bindjeve të tij”

Për dekada, trajnerët e Anglisë i janë përkulur vullnetit të mediave dhe tifozëve për ta mbushur formacionin kryesor me individët më të talentuar, madje edhe në dëm të strukturës së përgjithshme të ekipit. Paul Scholes u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar pas vitesh të tëra qëndrimi jashtë pozitës së tij në krahun e majtë të mesfushës, për t’u lënë vend Frank Lampardit dhe Steven Gerrardit në qendër pasi një “gjeneratë e artë” nuk arriti të përparonte përtej çerekfinaleve të turneve të mëdhenj nën drejtimin e Sven-Goran Erikssonit në vitin 2002, vitin 2004 dhe vitin 2006. Për dallim prej trajnerëve të tjerë, Southgate ka qenë i lumtur që ka lënë një bollëk talentesh sulmuese në stol. Me kapitenin Harry Kane dhe Raheem Sterlingun, dyshja e tij e dëshmuar dhe e besuar përpara ka qenë vetëm një vend në ekip për Bukayo Sakan, Jack Grealishin, Phil Fodenin, Jadon Sanchon dhe Marcus Rashfordin për të luftuar për të. Një favorit i tifozëve, zëvendësuesi Grealish madje duhej ta vuante çnderimin e zëvendësimit pas vetëm 36 minutave që u fut në lojë, ndërsa Anglia bëri rregullime për ta parë fitoren e saj në vazhdime kundër Danimarkës në gjysmëfinale.

“Garethi e pa shpejt se ku duhej intervenuar dhe e bëri atë pa iu trembur syri”, tha ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shearer.

Struktura e fortë mbrojtëse e Southgatet, me Declan Ricen e West Hamit dhe Kalvin Phillipsin e Leedsit, që formojnë një bosht të fuqishëm në mesfushë, ka bërë që Anglia të ketë pranuar vetëm një gol në gjashtë ndeshje të luajtura në “Euro 2020”.

Komunikues i madh

Nderimi në të cilin Southgate mbahet nga homologët e tij u tregua kur përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand, e filloi konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes me një fjalim të madh për të.

“Unë e kam përcjellë atë që federata angleze ka bërë në mënyrë strategjike dhe veçanërisht se si Garethi e ka udhëhequr këtë ekip për disa vite”, tha Hjulmand. “Mënyra se si ai përfaqëson dhe komunikon është e jashtëzakonshme. Urime Gareth, mendoj se jeni duke bërë një punë të shkëlqyeshme në një vend të vështirë”.

Southgate ka qenë udhëheqësi i përsosur për një skuadër me ndërgjegje shoqërore, pa u kënaqur që ta linte futbollin e tyre të fliste. Nën mbretërimin e tij, lojtarëve të Anglisë u është dashur të përballen me abuzimin racor në Mal të Zi dhe Bullgari. Ata e filluan turneun duke u vërshëllyer nga pjesë e tifozëve të tyre për rënien në njërin gju si një protestë kundër padrejtësisë raciale.

“Gjëja më e rëndësishme për lojtarët tanë është të dinë se ne jemi plotësisht të bashkuar në këtë, ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur njëri-tjetrin”, tha Southgate në atë kohë.

Fleksibiliteti taktik

Vendosja taktike e Southgatet është vënë në dyshim vazhdimisht, por ai ka treguar një gatishmëri për t’u përshtatur me atë që kërkohet për të fituar. Në Rusi, tre vjet më parë, kalimi në një sistem me pesë mbrojtës ishte si një mburojë për një portier dhe repart të mbrojtjes pa përvojë. Këtë herë, në “Euro 2020”, ai ka përdorur sistemin 4-3-3 për të marrë një lojtar shtesë sulmues në krah, përveç duelit së 1/8 së finales kundër Gjermanisë, ku një ndryshim i formacionit anuloi kërcënimin e paraqitur nga mbrojtësit e krahut, Joshua Kimmich dhe Robin Gosens. Në atë ndeshje, Southgate luajti me tre mbrojtës. Bukayo Saka e justifikoi vendin e titullarit kundër Danimarkës duke asistuar dhe detyruar Simon Kjaerin që të shënojë autogol për ta barazuar rezultatin në 1:1. Por, pasi u inkuadrua në lojë Grealish, Sterling kaloi nga krahu i majtë në të djathtë, ku fitoi penalltinë vendimtare – megjithëse të diskutueshme – për t’i dhënë fund pritjes së gjatë të Anglisë për të arritur në finale të një turneu të madh.


Shtuar 9.07.2021 19:02