Shuhet ëndrra për medalje, rusi që përfaqëson Shqipërinë nuk e kap finalen

Matvei Petrov është sportisti i parë që ka garuar për Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Tokios. 30-vjeçari rus përfaqëson vendin tonë në gjimnastikë, kategori ku u shpall kampion i Evropës dhjetorin e kaluar.

Petrov grumbulloi 14,733 pikë në garën kualifikuese në divizionin e dytë në kaluç me doreza. Një garë pozitive, por që nuk solli kualifikimin në finale.

Pas dy baterive të para kualifikuese, Petrov renditej i teti me pikë, por për shkak se ishin tre japonezë në tetëshen e parë, njëri prej tyre nuk shkonte dot në finale me rregullore.

Në këto kushte Petrov ngjitej i shtati dhe shpresonte që në baterinë e tretë kualifikuese vetëm një të grumbullonte pikë më shumë se ai.

Nuk ndodhi kështu, Petrov zbriti në vendin e 10-të dhe mbeti jashtë finales, pasi Lee Chih-kai (Taipei) dhe Alec Yoder (SHBA) grumbulluan më shumë pikë se rusi.


Shtuar 24.07.2021 15:13